Fati i Xherdan Shaqirit për të udhëtuar në Serbi është përcaktuar tashmë ashtu siç paralajmëroi prestigjiozja britanike “Independent”. Pak më parë, trajneri i skuadrës së “The Reds”, Jurgen Klopp ka publikuar listën e lojtarëve, të cilët do të jenë në ndeshjen e kthimit kundër Cervena Zvezdas në Beograd, takim ky i vlefshëm për Ligën e Kampionëve.
Në listë mungon gjakovari, i cili u raportua edhe më parë se ai mund lihej në Angli, pasi një prezencë e tij në Beograd mund të shkaktonte tensione politike. Trajneri i skuadrës angleze ka folur për këtë zgjedhje para mediave, ndërsa ka theksuar se Liverpool do të udhëtojë për të luajtur futboll dhe thashethemet e tjera nuk i interesojnë, raporton “BalkanWeb”.
“Është një situatë ku do të shkojmë në qytetin fantastik të Beogradit si një ekip futbolli për të luajtur futboll.Kemi dëgjuar dhe lexuar spekulimet dhe flasin për atë lloj pritjeje që Shaqiri do të merrte dhe megjithëse nuk kemi ide se çfarë do të ndodhte, ne duam të shkojmë atje dhe të përqendrohemi 100 për qind në futboll dhe nuk duhet të mendojmë për ndonjë gjë tjetër, kjo është e gjitha. Ne jemi Liverpool FC, një klub i madh, një ekip futbolli, por nuk kemi ndonjë mesazh më tej se kaq. Ne nuk kemi asnjë mesazh politik, absolutisht jo. Ne duam që fokusi të jetë në një lojë të madhe të futbollit, të lirë nga çdo gjë tjetër. Shaqiri nuk është i përfshirë dhe ai e pranon dhe e kupton këtë. Shaqiri është lojtari ynë, ne e duam atë, dhe ai do të luajë për ne shumë herë, por jo të martën. Kam dëgjuar shumë gjëra të mrekullueshme për qytetin e Beogradit dhe vendin e Serbisë në tërësi, nga miqtë dhe kolegët që e kanë vizituar më parë”, tha Jurgen Klopp.
Lista e plotë e lojtarëve të grumbulluar:
Fabinho, Van Dijk, Wijnaldum, Lovren, Milner, Keita, Firmino, Mane, Salah, Gomez, Alisson, Sturridge, Moreno, Lallana, Mignolet, Robertson, Origi, Solanke, Matip, Kelleher, Alexander-Arnold
a.ç