Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në mbledhjen e grupit të Partisë Socialiste se “Presidenti Ilir Meta nuk ka dhënë asnjë arsye, por vetëm mosbindjen e tij” për dekretimin e Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm.
“Ne nuk duhet të biem në këtë situatë që nuk është e jona. Ne duhet t’i dalim për zot situatës”, mësohet të ketë thënë Rama.
Kryeministri Edi Rama ka zbardhur në mbledhjen e grupit të PS letrën e presidentit Ilir Meta lidhur me mos dekretimin e Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm.
Rama është shprehur para deputeteve se mosdekretimi i Lleshit nga Meta është në shkelje të Kushtetutës.
“Mosdekretimi i Lleshit është në shkelje te Kushtetutës. Nuk kemi gjykatë kushtetuese dhe ne do gjejmë mënyra të tjera. Nuk ka asnjë lloj mëdyshje për mbështetjen e Lleshit i cili ka Top cosmic- certifikata me e lartë e sigurisë nga NATO. Nesër do nisim t’i krijojmë bindjen Presidentit të Republikës”– mësohet të ketë thënë Rama në grupin e PS.
Por kryeministri sot njoftoi se Sandër Lleshi do të emërohet zv.ministër i brendshëm, i cili më pas do të kamandohet ministër. Vendimi i Ramës nxjerr jashtë lojë ‘mosbindjen’ e presidentit për të mos dekretuar zëvendësin e Xhafajt
“Dakordësi e plotë në Grupin Parlamentar. Kuvendi do të miratojë nesër dekretin e Presidentit për shkarkimin e ish-ministrit të brendshëm.
Sandër Lleshi do të marrë drejtimin e MB si zëvendës ministër. Por nuk mbaron me kaq.
Për më shumë do t’i drejtohem Kuvendit nesër në 10.00″ – shkruante Rama pas vendimit që njoftoi në mbledhjen e grupit të PS.
a.ç