Papa tregon se Kacifa e ndihmoi që të ndërronte gomën e makinës që ishte çarë. Ai thotë se 35-vjeçari ishte i lidhur shumë me flamurin grek, ndërsa tregon edhe dëshirën e tij.
Ish-kreu i OMONIA-s, Leonidha Papa ka folur për mediat greke duke treguar takimin e fundit me Kostandinos Kacifas, disa ditë para se të ekzekutohej nga RENEA, pasi nuk pranoi që të dorëzohej. Papa shprehet se Kacifas ishte i lidhur shumë me flamurin grek, ndërsa tregon edhe dëshirën e tij.
“Më tregoi respekt jo vetëm për shkak të punës sime dhe bashkëpunimeve që kishim pasur. Tregoi kujdes të ndihmonte njerëzit dhe bënte gjithçka për komunitetin si për festat lokale të fshatit ashtu edhe për manifestimet për Maqedoninë. Më duket e pamundur që ai të ngatërrohej në paligjshmëri që të ishte përfshirë në ndonjë organizatë. Nuk fshihte të vetmin ekstremizëm që kishte mbi vete, që ishte lidhja me flamurin grek. Dëshira e tij e fundit ishte ndërtimi i një kishe në fshatin e tij. Është detyrimi që na la, ne do ta bëjmë që shpirti i tij të prehet i qetë” – tha Leonidha Papa.
Ish-kreu i OMONIA-s, e mbyll prononcimin duke u shprehur se nevojitet një strategji afatgjatë për të ardhmen e pakicave kombëtare greke në Shqipëri. Konstantinos Kacifa u vra 7 ditë më parë nga RENEA, pasi qëlloi me breshëri mbi policinë. Ai nuk pranoi të dorëzohej dhe RENEA e qëlloi. Kacifa njihej si ekstremist grek dhe ishte pjesë e grupeve nacionaliste-ekstremiste greke.
Pas vrasjes, familja pati pretendime për trupin e të riut, dhe akuzoi RENEA-n se fillimisht e kishte plagosur dhe më pas e kishte vrarë. Por avokati i familjes, i cili e pa trupin u shpreh se i riu nuk ishte vrarë nga afër por nga larg. Trupi i Kacifa ndodhet në morgun e QSUT-së në Tiranë, pasi u soll për t’iu nënshtruar për herë të dytë autopsisë, pas kontenstimeve të familjes.
/b.d