Tre ditë para skadimit të afatit arrest me burg 30 ditorë për biznesmenin Ervis Martini, të përfshirë në përplasjen me armë të ndodhur mbrëmjen e 4 tetorit në ish Bllok, prokuroria e Tiranës kërkon një tjetër masë sigurimi për të. Report Tv ka siguruar kërkesën e depozituar nga prokurorët Artan Lulo, Kreshnik Ajazi dhe Anisa Qilimi të cilët i kërkojnë Gjykatës të lërë në qeli Martinin me një masë të re arrest me burg pa afat.
Kjo kërkesë pritet të shqyrtohet nga gjykata ndërsa prokuroria deklaron se Ervis Martini përdor prej disa kohësh edhe një dokument të Kosovës me emrin Admir Koca, letërnjoftim të lëshuar me të dhënat: datëlindja 10.01.1980, lindur në Leposaviq dhe adresë banimi në Plemeti, Komuna e Obiliqit në Kosovë.
E pikërisht ky mjet identifikimi mund t’i japë atij mundësi largimi dhe shmangie të hetimeve, sqarojnë prokurorët. Ndërsa lidhur me hetimin e dinamikës dhe të përfshirëve në ngjarjen e 4 tetorit, prokuroria shprehet se ende kërkon kohë për të verifikuar 4 telefona celularë të sekuestruar atë mbrëmje pasi janë të koduara dhe nga drejtoria e policisë Tiranë nuk mund të analizohen.
Mes tyre dy telefona iPhone, një Blackberry dhe një Nokia, për të cilat u është kërkuar ndihmë autoriteteve izraelite me letërporosi. Ndalur tek ekspertimi i personave që kanë qëlluar apo përdorur armët mbrëmjen e 4 tetorit në brendësi të lokal “Monopol”, prokuroria thotë se sipas akt-ekspertimit për faktorët plotësues të qitjes, Ervis Martini ka prani të tyre e faktuar nga katër gjurmë të akt ekspertimit nr 10535.
“Ekspertimi kimik për faktorët plotësues të qitjes: Konkluzion: “Në katër gjurmëkopjuesit objekte të ekspertimit marrë në dy duart dhe në fytyrën e shtetasin Ervis Martinaj, u evidentuan mbetje të nitritëve dhe nitrateve, të cilat ndodhen dhe te mbetjet e qitjes me armë zjarri”. Ndërsa ndër armët e përdorura atë natë, ku në përplasjen me armë të ndodhur në vetëm 60 sekonda nga ku mbeti viktimë Fabian Gaxha dhe u plagos Eljo Hata dhe biznesmenin Martini, nga hetimet e prokurorisë dhe krahasimet balistike rezulton se është një armë, e cila është përdorur dhe afro një vit më parë në Tiranë në një konflikt të ndodhur në një lloto sport më 26 shtator 2017
Në dosjen e Prokurorisë për vrasjen në ish-Bllok më 4 tetor janë siguruar edhe bisedat telefonike mes Ervis Martinit dhe shokëve të tij të përfshirë në përplasjen me armë. Pasi i dërgon mesazh Ervin Matës, të dashurit të Elvana Gjatës që e pret tek “Monopol”, Ervis Martini komunikon në Whatsapp me pjesën tjetër të grupit ku i kërkon që të vijnë të armatosur në lokalin e Redi Popeskut. Kamerat e sigurisë kanë filmuar kur protagonistët e masakrës futen në lokal dhe dalin të plagosur.
a.ç