Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka zhvilluar një takim me zyrtarë të Policisë Greke. Delegacioni i policisë u takua me Veliun në zyrën e këtij të fundit.
Zyrtarisht Policia e Shtetit thotë se drejtori Ardi Veliu dhe delegacioni i policisë greke shkëmbyen informacion në lidhje me hetimet për vrasjen e minoritarit Kostandino Kaçifas. Palët biseduan edhe për bashkëpunimin mes dy policive.
Trupi i 36-vjeçarit Kaçifas ndodhet në Mjekësinë Ligjore në QSUT për ekspertizë më të thelluar. Kostandino Kaçifas mbeti i vrarë më 28 Tetor në fshatin Bularat të Dropullit në Gjirokastër gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat RENEA.
Kaçifas qëlloi i parë me armë patrullën e policisë në këtë fshat, për motive ende të panjohura. RENEA i bëri thirrje 36-vjeçari të dorëzohej, por ky i fundit nuk pranoi dhe vazhdoi të qëllonte ndaj policisë. Nga shkëmbimi i zjarrit, Kostandino Kaçifas u qëllua për vdekje nga RENEA.
a.ç