Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka marrë mbështetjen e anëtarëve të Komisionit për Çështjet Ligjore dhe të Konsumatorit në parlamentin gjerman për zbatimin e reformës në drejtësi
Takimi në Ministrinë e Drejtësisë me delegacionin që drejtohej nga z. Stephan Brandner dhe përbëhej nga përfaqësues të të gjithë spektrit politik të Bundestagut: CDU/CSU, SPD, FDP, Të Majtët, Aleanca 90, u fokusua tek reformat e ndërmarra nga Qeveria Shqiptare, të cilat synojnë forcimin e shtetit ligjor në vend dhe njëkohësisht përmbushjen e standardeve të kërkuara nga procesi i integrimit evropian të vendit.
Ministrja Gjonaj i ka falënderuar deputetët gjermanë për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit në familjen evropiane dhe i ka siguruar se Qeveria është e fokusuar maksimalisht në plotësimin e të gjitha prioriteteve të kërkuara për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE.
“Në këtë kontekst një vend të rëndësishëm zë Reforma në Drejtësi, zbatimi i së cilës është duke realizuar një ndryshim radikal dhe unik në llojin e vet në të gjithë rajonin, por edhe më gjerë”, u shpreh Gjonaj.
Sipas ministres Gjonaj, rezultatet e para të procesit të Vetingut janë pritur me optimizëm nga shumica dërmuese e qytetarëve shqiptarë.
Deputetët gjermanë shprehën interes lidhur me ecurinë e reformës, krijimin e institucioneve të reja të Drejtësisë dhe bllokimin e amendamenteve të paketës së reformës në parlament. Kreu i Komitetit për Çështjet Ligjore dhe të Konsumatorit, z. Stephan Brandner, theksoi se Qeveria Shqiptare do të vazhdojë të ketë mbështetjen e plotë të Gjermanisë për të gjitha reformat e ndërmarra, me qëllim që të shpejtohet rruga e integrimit në Bashkimin Evropian.
Lidhur me çështjen e ngritur nga delegacioni gjerman për mënyrën se si do të plotësohen vakancat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të krijuara nga vetingu, Ministrja Gjonaj është shprehur se mazhoranca ka bërë përpjekjet maksimale për miratimin e ndryshimeve ligjore për kuotat e reja për Shkollën e Magjistraturës, miratim i cili nuk u arrit për shkak të mosvotimit të tyre nga opozita.
Tani pritet ngritja e dy këshillave me qëllim që të përcaktohet numri i studentëve që do të ndjekë Shkollën e Magjistraturës për t’u përfshirë më pas në sistem si gjyqtarë ose prokurorë.
Masat antikorrupsion të Qeverisë ishin një tjetër temë e rëndësishme për të cilën deputetët gjermanë treguan interes të veçantë.
a.ç