Fusha e futbollit në Laprakë do të mbetet hapësirë sportive për banorët, edhe pse administrata e shkuar e Bashkisë së Tiranës kishte plane të tjera për të.
Nga shkolla “Aleks Buda”, ku prezantoi buxhetin e vitit 2019 për Njësinë 11, kryebashkiaku Erion Veliaj siguroi qytetarët se ajo hapësirë do të mbetet siç është dhe se Bashkia e Tiranës do të shpronësojë pronarët, të cilët kanë fituar të drejtën e pronës mbi fushën.
Veliaj: “E paimagjinueshme çfarë pafytyrësie kanë ata që menaxhuan për kater vite Laprakën dhe Tiranën, që menaxhuan gjykatat, që e falën tokën në gjykatë dhe sot bëjnë sikur përvëlohen për qytetarët, ndërkohë që i kishin bërë planet dhe fituar gjyqet, siç u donte qejfi. Lajmi i mirë për qytetin, për Laprakën, dhe lajmi i keq për gjumin, kunatin dhe dhëndrin, është se fusha do të shpronësohet nga Bashkia e Tiranës, do t’i ngelet publikut të Laprakës dhe do të kemi terrenin sportiv, që gjithmonë e kemi pasur mes nesh, por që me letra dhe me plan urbanistik, u deformua. Kam një pyetje: Si do të kthehen ata në Laprakë, pasi e kishin Laprakën, e kishin fushën dhe e çuan për pallate, pasi e kishin këtë komunitet për t’i bërë gjitha këto punë dhe nuk vijnë as në mbledhjet e Këshillit Bashkiak?”
Veliaj tha se falë vettingut në drejtësi, jo vetëm qytetarët, por edhe Bashkia e Tiranës, po fiton në favor të interesit publik.
Veliaj: “Si ka mundësi që sapo nisi vettingu Bashkia e Tiranës filloi të fitonte gjyqe, të cilat kishin vite që jepeshin në avantazh të një privati? Unë besoj te fuqia e vettingut; në Tiranë është ndjerë në të gjitha fitoret e Bashkisë së Tiranës për interes publik, në dallim nga interesi privat, që fitonte më parë. Kjo është diferenca. Para që kursehen për publikun, terrene që kursehen për publikun”.
Në fjalën e tij, kryebashkiaku tha se opozita edhe në Këshillin Bashkiak punon vetëm për të penguar zhvillimin e qytetit, duke mos miratuar as vendimet që i vijnë në ndihmë shtresave në nevojë, siç është ndihma ekonomike.
Madje, ai bëri të ditur se gjatë këtyre muajve këshilltarët e djathtë vijnë në mbledhjet e këshillit vetëm për evidencë, për të marrë paratë nga pjesëmarrja në mbledhje.
Veliaj: “Pyetja që kam për PD është: Pse nuk vini kur votojmë ndihmën ekonomike për familjet e Laprakës? Pse nuk vini kur votojmë asistencën e personave me aftësi të kufizuar? Pse nuk vini kur votohet bonusi i qirasë? Pse nuk vini kur votohet rimbursimi i energjisë? Pse nuk vini kur shpërndahen banesat sociale? Pse nuk vini kur bëjmë investime në komunitet? Si ka mundësi që e kanë menaxhuar këtë qytet dhe këtë komunitet, sidomos Laprakën, që e kanë pasur bastion, dhe nuk kanë bërë asnjë punë?! Si ka mundësi që vijnë një minutë, sa për të firmosur procesverbalin në Këshillin bashkiak dhe zhduken pa marrë asnjë vendim?”
Ndaj, ai theksoi se është shumë e rëndësishme që në zgjedhjet e ardhshme PS-ja të sigurojë shumicën në Këshillin Bashkiak, për të mundësuar miratimin e të gjitha vendimeve transformuese për qytetin.
Mandej, kreu i Bashkisë së Tiranës u bëri thirrje të gjithë prindërve dhe çifteve që të mbjellin një pemë në kryeqytet, si pajë për gjeneratën e ardhshme. Një apel pati edhe për uljen në maksimum të përdorimit të automjeteve.