“Fiks Fare” solli mbrëmjen e kësaj të marte rastin e një fëmije 13-vjeçar, i cili ka humbur jetën në oborrin e shkollës. Fabian Zeçishti mësonte në shkollën 9-vjeçare Rrakull, vend në të cilin humbi jetën më 30 janar të vitit 2013.
Shkak u bë muri i shkollës së vjetër, i cili nuk ia kurseu jetën 13-vjeçarit. Askush nuk kishte marrë masa për shembjen e rrënojave të shkollës së vjetër, deri ditën kur nxënësi 13-vjeçar humbi jetën në oborrin e shkollës së tij.
Prindërit e Fabianit treguan për “Fiksin” se djali i tyre shkoi në shkollë si çdo ditë, por që në mesditë mësuan se ai humbi jetën. “Djali im vdiq këtu, në oborrin e shkollës, i ka rënë sipër muri i shkollës së vjetër, i cili ishte lënë pa prishur. Kërkojmë dëmshpërblim”, thotë e ëma me lot në sy.Ndërsa i ati, Ylli thotë se “pasi zuri djalin e tij, ai mur u prish brenda natës”. Mdërkohë, ish-drejtori i shkollës i ka thënë se i kishte kërkuar komunës së asaj kohe që të prishej muri, por që nuk e prishën.Bashkëmoshatarët e Fabianit treguan për gazetarët e “Fiksit” se, ditën që ndodhi ngjarja, ata ishin aty në oborr dhe se Fabiani nuk ishte mbi mur. “Fabianin e zuri muri. Ne po luanim. Kur e pamë të shtrirë u tmerruam, nuk guxonim t’i hiqnim betonin që kishte mbi qafë. Thirrëm 3-4 persona të tjerë”, tregon ish-shoku i tij i klasës.
Ndërsa një ish-shoqe tha se “na morën menjëherë e na futën në klasë, vetëm e pamë se ku ishte i shtrirë”. “Mësuesit na thanë hyni menjëherë në klasë, pastaj morëm vesh se Fabiani kishte vdekur”.
E vetmja masë që ishte marrë pas vdekjes së 13-vjeçarit ishte prishja e murit, për të mos marrë më jetë të tjera. Por, pse nuk u prish ai mur, kur u prish edhe shkolla e vjetër? A duhet të mbajë kush përgjegjësi për këtë?
Gazetarët e “Fiksit” iu drejtuan për një përgjigje Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Kavajës. Ky institucion, në përgjigjen me shkrim thotë se “prokurori i çështjes vendosi të mos fillojë procedimin penal, edhe pse kishte konstatuar se vdekja i ka ardhur pas rënies së arkitrarit të murit të vjetër të shkollës”.
Edhe pse Prokuroria ka konstatuar këtë fakt, nuk ka ngarkuar askënd me përgjegjësi ligjore, asnjë prej drejtuesve të institucioneve shtetërore që nuk ndërhynë për prishjen e mureve të shkollës së vjetër. Prokuroria e Kavajës e ka konsideruar vdekjen e nxënësit 13-vjeçar në oborrin e shkollës si një rast aksidental. Në mungesë të një ankimimi ndaj vendimit të mosfillimit të procedimit penal në Prokurori apo gjykatë është arritur në këtë vendimmarrje.
Përveç këtij institucioni, gazetarët e “Fiksit” kërkuan një përgjigje në ish-Komunën Synej, se kur është prishur muri. Administratori i kësaj njësie u tha gazetarëve se nuk mund t’iu përgjigjej, pasi dosjet ndodhen në Bashkinë e Kavajës dhe se vetëm atje mund të merrej një përgjigje në lidhje me prishjen e murit. Bashkia e Kavajës, megjithëse kanë kaluar mbi 15 ditë nga kërkesa që emisioni “Fiks Fare” i ka nisur, nuk ka kthyer asnjë përgjigje.
Por, gazetarët e “Fiksit” takuan ish-drejtorin e asaj kohe të shkollës, Qemal Fosa, i cili aktualisht është në pension. Ai dëshmoi para kamerave, në bashkëbisedim me gazetarët, se kryetari i komunës së asaj kohe e dinte se duhej prishur muri, pasi e kishin diskutuar verbalisht.
“E kishim diskutuar disa herë me kryetarin e komunës. Ai kishte vendosur ta prishte, kishte ardhur edhe kryeplaku e kishte parë, por ishte fati i keq i atij që humbi jetën”, tregon Fosa.
Grupi i xhirimit të emisionit “Fiks Fare” shkoi edhe në lokalin e ish-kryeplakut, ku ky i fundit nuk pranoi të përgjigjej nëse në atë kohë kishte kërkuar që muri të prishej. “Të gjithë e dinin se muri duhej prishur” tha ai, duke shtyrë gazetaren dhe duke e nxjerrë nga biznesi i tij. (BW)