Nga Eduard Zaloshnja
Në vitin 2013, u realizua në Shqipëri një rotacion pushteti përmes zgjedhjesh normale, i dyti rradhazi qysh nga krijimi i shtetit shqiptar (rotacionet e mëparshme janë realizuar përmes zgjedhjeve të jashtëzakonshme ose përmes pushkës). Historia botërore na tregon se rotacionet e njëpasnjëshme përmes zgjedhjesh normale janë një parakusht për zhvillimin e një vendi demokratik. Dhe ky i fundit ndikon në rritjen e mirëqënies së përgjithshme të popullsisë.
Në një artikull të mëparshëm kam analizuar rritjen e mesatares së të ardhurave për frymë të popullsisë në dekadën e fundit (kur kanë qeverisur një herë PD-ja e një herë PS-ja), duke ia kundërvënë medianës së të ardhurave për frymë. Hendeku mes të dyjave është rritur në dekadën e fundit – 3600 dollarë për frymë në vit ka arritur mesatarja, përkundrejt 1400 dollarë mediana. Gjë që tregon se është rritur përqëndrimi i të ardhurave në pak duar, duke e rritur kështu mesataren, por jo medianën (kur të ardhurat kanë një shpërndarje normale, mediana përputhet me mesataren).
Po ky tregues nuk është i vetmi që demonstron se nuk ka rritje të përgjithshme të mirëqenies së popullsisë.
Një studim i titulluar “Trende të reja në emigracionin potencial nga Shqipëria”, të Qendrës për Studime Ekonomike dhe Sociale, mbështetur nga Fondacioni Friedrich-Ebert, tregon se është rritur përqindja e shqiptarëve që duan të emigrojnë jashtë vendit. Emigrimi potencial është rritur në vitin 2018 në 52%, nga 44% që ka qenë në 2007-ën.
Studimi tregon se tendenca më e fundit është ajo e emigrimit të njerëzve që kanë mbaruar universitetin, i rinisë së kualifikuar në nivel të lartë, që ka dëshirë të madhe të emigrojë. 57 % e grupmoshës 18- 40 vjec synojnë të emigrojnë. 46 % e atyre që nuk kanë emigruar asnjëherë synojnë të emigrojnë. 72% e emigrantëve të kthyer, pra e atyre që kanë qënë njëherë në emigracion, dëshirojnë të ikin përsëri.
Në një intervistë me Dojçe Velen, drejtuesi i studimit, Profesori Russell King thotë se një nga gjetjet kryesore të studimit është që arsyeja kryesore pse njerëzit duan të ikin është se nuk shohin të ardhme për vete dhe fëmijët e tyre në Shqipëri.
Me pak fjalë, megjithëse kanë ndodhur dy rotacione të njëpasnjëshme pushteti përmes zgjedhjesh normale, kemi shtim të shqiptarëve që nuk shohin të ardhme për vete dhe fëmijët e tyre në Shqipëri, në vend që të kishim pakësim të tyre.
Dhe në këto kushte, a duhet të vazhdojnë shqiptarët të shpresojnë tek një rotacion i tretë e i katërt pushteti, përmes të cilëve PD-ja e PS-ja të ndërrojnë përsëri karriget me njëra-tjetrën? Apo duhet të shpresojnë tek një revolucion politik, i cili t’i lërë të dyja palët në minorancë?
Dhëntë Zoti që dikujt të mos i lindë ideja për të ndezur një revolucion me pushkë, sepse nga pushkët e njëri-tjetrit kanë vdekur shumë shqiptarë deri më sot. Por dikush që ka idenë për të hedhur farën e një revolucioni paqësor politik do të ishte më se i mirëpritur nga ata shqiptarë që nuk shohin të ardhme për vete dhe fëmijët e tyre në Shqipëri (52%).
Në vitin 2015, Gjergj Bojaxhi kandidoi si i pavarur në bashkinë e Tiranës dhe mori 16 mijë vota, por nuk e vazhdoi dot më tej projektin e nisur. Në vitin 2017, Ben Blushi mori 10 mijë vota në Tiranë, por edhe ai nuk e vazhdoi dot projektin e nisur. Ndoshta mbi kurriz u rëndonte e kaluara e tyre – njëri kishte qenë zv-ministër e kandidat për kryetar i PD-së sëTiranës dhe tjetri ministër e kandidat për kryetar të PS-së për gjithë vendin.
Në garën që do të fillojë në bashkinë e Tiranës, pritet të futet si kandidat i pavarur Parid Turdiu, pinjoll i një familje intelektuale tiranase (bir i Profesor Turdiut dhe nip i Arshi Pipës), i cili nuk ka patur asnjë lidhje politike, qoftë me PD-në e qoftë me PS-në. Në qytete të tjera të rëndësishme, mund të ketë kandidatë të ngjashëm, të cilët mund të përbëjnë bërthamën e një lëvizje të re politike (në qoftë se do të jenë në gjendje të marrin një numër domethënës votash).
Kandidatë të tillë, vërtet të pavarur, ndoshta nuk kanë gjasa të fitojnë në majin e ardhshëm, por mund të japin sinjalin se duopoli PS-PD mund të thyhet dikur me vota…