Skënderbeu ka prishur mbrëmjen e të hënës rekordin pozitiv të Partizanit, që prej tetë javësh nuk provonte shijen e hidhur të disfatës, në fakt, që pas disfatës në javën e parë të pësuar pikërisht në korçë përballë bardhekuqëve. Kështu, të kuqtë janë mundur këtë të hënë në “Selman Stërmasi” me rezultatin 0-2 nga Skënderbeu. Ishte pikërisht ish-sulmuesi i të kuqëve ai që ka shënuar golin e parë të takimit në minutën e 64’, për të shkatërruar shfaqen shumë positive të Partizanit, jo vetëm në këtë përballje, por në të gjithë fazën e parë. Pikërisht atëherë kur Partizani ishte hedhur i gjithi në sulm, në kërkim të golit të barazimit, ishte Bregu ai që ka vendosur rezultatin final në shifrat 0-2. Dy gola dhe 3 pikë që nga ana tjetër i kanë dhuruar Skënderbeut kreun e klasifikimit, që tashmë në kuotën e 23 pikëve e mban me 1 pikë epërsi ndaj të kuqëve.
Supersfida që mbylli javën e 10-të të kampionatit të Kategorisë Superiore, nuk ka zhgënjyer si në fushë, ashtu edhe në shkallët e stadiumit. Një ndeshje shumë e luftuar, mes kujdesit për të mos pësuar, por edhe dëshirës për të bërë diferencën, në të cilën Partizani është shfaqur relativisht superior, të paktën me rastet për shënim, në dispozicion. Gjithsesi, futbolli triumfon mbi të gjitha rregullat dhe ligjet matematikore. Kështu, kur kishte vetëm pak minuta pasi ishte future në fushën e lojës si zëvendësues, pas një jave me probleme fizike, ish-sulmuesi i Partizanit, Gjergji Muzaka, në të 64’ ka dërguar topin në rrjetë. Një goditje fantastike e topit fluturimthi, që ka mposhtur kapitenin e Partizanit, Alban Hoxha. Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, shtyn ekipin për të tentuar më shumë dhe rastet nuk mungojnë, sidomos me goditjet nga jashtë zone, por saktësia dhe fati në finalizim nuk janë me të kuqtë. Pikërisht kur të kuqtë ishin hedhur në sulm në kërkim të barazimit, Bregu ka shënuar golin e dytë për të sigluar edhe rezultatin final në shifrat 0-2.
Partizani-Skënderbeu 0-2
Shënues: Muzaka 64’, Bregu 90’+5
Partizani: Hoxha; Ibrahimi, Belica, Atanda, Kalari; Telushi, Hila, Asani, Bardhi, Mala; Mensah.
Trajner: Skënder Gega
Skënderbeu: Teqja; Vangjeli, Radas, Aliti, Abazi; Demte, Dita, Guexh, Gripshi, Bregu, Krasniqi.
Trajner: Orges Shehi
Arbitër: Enea Jorgji