Report TV ka publikuar pamjet e momentit kur ekstremisti grek Konstantinos Kaçifa hapi zjarr mbi efektivët e policisë së Gjirokastrës mesditën e djeshme.
Pamjet janë siguruar nga gazetari Artan Hoxha dhe video është filmuar nga brenda lokalit të fshatit Bularat.
Nga pamjet duket ekstremisti grek i veshur me uniformë ushtarake dhe që qëllon në drejtim të automjetit ku është vendosur patrulla e policisë së Gjirokastrës. Pra, Kaçifa nuk ka qëlluar në ajër, por në drejtim të policisë, ndërsa janë terrorizuar edhe banorët.
Një tjetër detaj interesant lidhet edhe me armën që greku përdori në ngjarjen e djeshme. Ajo është një automatik i modifikuar me dylbi, që ka brenda shënjestrën olografike, e cila është një pajisje ushtarake që e përdor edhe NATO.
Modifikimi i automatikut që përmirëson shënjestrën tregon se asgjë nuk ka qenë rastësore dhe se ushtari grek ka qenë i përgatitur më parë për gjithçka.
Ndërkohë pamjet rrëzojnë pretendimin se historia nisi për flamujt grekë që ishin vendosur në fshatin Bularat, pasi ushtari shfaqet në pamje me armë në dorë dhe jo me flamuj.
/b.d