Byroja e Kuvendit ka miratuar një Udhëzues të Detajuar mbi Kodin e Sjelljes së Deputetëve. Një ndër pikat e miratuara në këtë udhëzues është edhe kontrolli i deputetëve kur janë të pirë.
Në pikën shtatë të këtij udhëzuesi flitet për rastet kur deputeti mund të paraqitet i dehur ose nën efektin e lëndëve narkotike ose psikotrope në seanca plenare ose në komisione plenare.
Sipas udhëzuesit, kryetari i Kuvendit, në rastet kur ka dyshime se një deputet është në gjendje të dehur ose në efektin e lëndëve narkotike, e thërret atë në konsultë dhe bën verifikimin e gjendjes së tij.
“Verifikimi bëhet në ato raste kur ka shkaqe të mjaftueshme për të besuar se sjellja atipike mund të jetë shkaktuar nga konsumimi i alkoolit dhe/ose substancave narkotike ose psikotrope. Për verifikimin e gjendjes së deputetit, nëse konstatimi bëhet gjatë zhvillimit të seancave të mbledhjeve të komisioneve ose të seancës plenare, drejtuesi i seancës ndërpret seancën jo më pak se 10 minuta dhe jo më shumë se 30 minuta.
Drejtuesi i seancës në prezencë të drejtuesit të grupimit parlamentar, të cilit i përket deputeti, fton deputetin në konsultë, gjatë së cilës verifikon gjendjen. Nëse deputeti nuk është pjesë e ndonjë grupi parlamentar, në konsultë ftohen të marrin pjesë drejtuesit e të gjitha grupeve parlamentare. Nëse drejtuesi i seancës konstaton se sjellja atipike mund të jetë shkaktuar nga konsumimi i alkoolit dhe/ose substancave narkotike ose psikotrope, këshillon deputetin që të mos hyjë në seancë dhe të largohet nga mjediset e Kuvendit”, thuhet në udhëzues.
Udhëzuesi parashikon edhe rastet se si do të bëhet largimi i deputetit kur paraqitet në Kuvend në gjendje të dehur ose nën efektin e lëndëve narkotike ose psikotrope. Në të theksohet se, në rast se deputeti pranon që është i dehur apo droguar, ai nxirret jashtë nga kryetari i grupit që i përket ose nga garda. Ndërsa në rastet kur ai nuk pranon të largohet nga seanca plenare apo komisioni, ndaj tij merren masa disiplinore.
“Nëse deputeti pranon, ai shoqërohet deri jashtë mjediseve nga drejtuesi i grupit parlamentar të cilit i përket, ose nga shërbimi i sigurisë në Kuvend. Nëse deputeti nuk është pjesë ndonjë grupi parlamentar, shoqërimi i tij bëhet nga drejtuesi i grupit parlamentar më të vogël, nga drejtuesi i një grupi parlamentar të përzier ose nga shërbimi i sigurisë në Kuvend.
Nëse deputeti nuk pranon të largohet dhe rihyn në mjediset ku zhvillohet seanca, atëherë: Nëse ngjarja ndodh gjatë mbledhjes së një komisioni parlamentar, drejtuesi i seancës ndërpret mbledhjen dhe i përcjell Byrosë së Kuvendit kërkesën për fillimin procedurës disiplinore për deputetin. Nëse ngjarja ndodh gjatë një seance plenare, drejtuesi i seancës, menjëherë pas rihapjes së seancës, vendos përjashtimin e deputetit nga seanca dhe, nëse e gjykon të arsyeshme, fillon procedurat për marrjen e masës disiplinore ndaj tij”, përcaktohet në udhëzues.
/Panorama/b.d