Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë ka lëshuar një paralajmërim të ashpër ndaj përpjekjes së Kosovës që të krijojë ushtrinë.
Ministria e Jashtme ruse ka shprehur shqetësim për vendimin e Kuvendit të Kosovës për t’i shndërruar Forcat e Sigurisë së Kosovës në ushtri të plotë.
Kjo ministri ka theksuar se një vendim i tillë dëmton stabilitetin e Ballkanit.
“Rusia i ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen komunitetin ndërkombëtar se tendencat e tilla nuk janë në përputhje me Rezolutën 1244, e cila thotë se Kosova duhet të mbetet nën mbikëqyrjen e ndërkombëtarëve”, thuhet në deklaratën e ministrisë ruse.
“Askush nuk mund të japë garanci se të ashtuquajturat forca të armatosura, të cilat përbëhen nga terroristë të UÇK-së, nuk do të përdorin dhunë kundër popullatës serbe në veri”, thekson MPJ ruse.
Më tej thuhet se ata që mbështesin Kosovën po përpiqen me shpejtësi të riorganizojnë FSK-në në ushtri të plotë në mënyrë që të transferojnë ish militantët nën patronazhin e NATO-s.
“Ushtria e Kosovës dëmton stabilitetin në Ballkan dhe nuk është në përputhje me të drejtat e atyre që jetojnë atje dhe e meritojnë një të ardhme të qetë dhe të sigurt”, përfundon deklarata e MPJ-së ruse, përcjell lajmi.net.
Kundër Ushtrisë së Kosovës është shprehur edhe Qeveria e Serbisë, zyrtarë të së cilës kanë deklaruar se do të përdorin çdo mekanizëm për ta parandaluar themelimin e saj.
a.ç