Dështim për CDU e SPD-në, partia djathtiste, AfD pas zgjedhjeve në landin e Hessen-it hyn në të gjitha parlamentet e landeve. E prapë qeveria në javët e ardhshme do të vazhdojë të merret me veten, thekson Ines Pohl.
Landtagswahl in Hessen 2018 – Wahlplakate (picture-alliance/dpa/Revierfoto)
Në fundjavën, kur bota mban zi për vrasjen e 11 hebrenjve në Pittsburgh, në Gjermani, futet edhe në parlamentin e landit të fundit, ku nuk ishte e përfaqësuar, partia populiste djathtiste, AfD. E votuar nga 12% e zgjedhëseve e zgjedhësve në këtë land, epiqendër e bankave gjermane dhe ekonomisë, një land ku paguhen rrogat më të larta në Gjermani dhe papunësia ka vite që bie.
Më shumë të trondit ky paralelizëm, nëse kujton fjalët e një prej drejtuesve të kësaj partie, i cili vetëm para pak kohësh, Holokaustin e quajti thjesht një “glasë zogu në histori”. E pikërisht kjo parti nuk është e përfaqësuar vetëm në Bundestag, por edhe në 16 landet gjermane. Realisht një situatë e tillë duhet ta shkundte fort vendin tim dhe të dominonte kryetitujt e brendshëm. Fakti që kjo nuk bëhet, të le të kuptosh, pse AfD është bërë kaq e suksesshme.
Votuesit të lodhur nga grindjet
Prej 13 vitesh Angela Merkel qeveris. E asnjëherë më parë nuk kanë qenë kaq të ulta vlerat e saj në sondazhe. Duket se kjo ka të bëjë me një lloj lodhjeje, edhe me politikën e kontestuar të kancelares për refugjatët. Por sidomos me grindjen e vazhdueshme brenda qeverisë. Koalicioni me bazë të gjerë i përbërë nga CDU/CSU dhe SPD ishte që në fillesë një aleancë e detyruar pa një vizion, që mund ta bënte për vete popullsinë. Ndërkohë që tani luftërat e hapur për pushtet po i nervozojnë më së shumti votuesit -këtë e tregojnë të gjitha sondazhet.
Një shumicë e qartë e gjermanëve nuk e do më koalicionin me bazë të gjerë të konservatorëve dhe socialdemokratëve. Prandaj edhe zgjedhjet në Hessen ishin vendimtare për Angela Merkelin dhe qeverinë e saj. Nëse i besuari i Merkelit dhe kreu i qeverisë së landit nuk do të ishte zgjedhur sërish, Angela Merkelin do ta priste një rebelim i hapur. Vërtet që tani CDU-ja pësoi humbje të ndjeshme në Hessen, por ajo mbetet dukshëm forca kryesuese në votime. Pra, baza nuk ka pse e frikëson Merkelin aktualisht. E megjithatë koalicioni i saj në Berlin nuk është aspak i sigurtë. Sepse partneri i saj, Partia Socialdemokrate, SPD humbi kaq thellë, duke arritur me zor të kapë 20% të votave. E kjo në një land ku, socialdemokratët, tradicionalisht kanë qenë forcë politike e preferuar.
SPD nuk është më një partner i besueshëm
Pas këtij dështimi në zgjedhje do të shtohen zërat, që do të thonë, se SPD do të mbijetojë vetëm, nëse e braktis sa më shpejt të jetë e mundur qeverinë e Merkelit. Me këtë diskutim të brendshëm do të vazhdojë të merret Gjermania edhe në javët e ardhshme, e qeveria nuk do mundet dot të bëjë punën e saj. Gati e tepërt të thuash, se sa fatale është kjo për një vend si Gjermania, por edhe për Europën që vazhdon të polarizohet dhe gati të shpërbëhet në periferitë e saj.
Megjithatë ka edhe lajme të mira nga zgjedhjet e së dielës. Hessen-i do të krijojë një qeveri, anëtarët e së cilës janë të plotësisht të ankoruar në kushtetutën e vendit, dhe do të qeverisin mbi bazën e këtyre ligjeve themelore. Edhe pse në të gjitha parlamentet gjermane janë të përfaqësuar forcat nacionaliste: Në tryezën e qeverisjes antisemitistët nuk kanë vend. DW
ma.me