Kandidati i ekstremit të djathtë, Jair Bolsonaro, ka arritur një fitore bindëse në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale në Brazil, të dielën. Pas numërimit të gati 95 për qind të votave, Bolsonaro kryeson me 56 për qind të votave, krahasuar me kundërkandidatin e tij, majtistin Fernando Haddad, nga Partia e Punëtorëve.
Bolsonaro ka bërë fushatë me premtimin se do ta zhdukë korrupsionin në shtetin e tij, dhe se do ta ulë ndjeshëm shkallën e lartë të krimit në Brazil.
Fushata zgjedhore ka qenë tejet përçarëse, teksa secili kamp ka pohuar se fitorja e tjetrit do të sjellë shkatërrimin e Brazilit.
Duke përmendur ish-ushtarakët e shumtë, nga të cilët rrethohet Bolsonaro, kundërshtarët e tij thonë se ai përbën rrezik për demokracinë në Brazil.
Bolsonaro gjithashtu ka zemëruar shumë brazilianë me deklaratat e tij homofobe, raciste dhe misogjene, përgatiti ”Express”. (b.an)