Rreth 1 vit pas nisjes së aksionit të ujit janë vendosur 75 mijë matësa, ndërsa janë lidhur 35 mijë kontrata të reja mes abonentëve dhe shoqërive të ujësjellësave. Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, të bëra me dije për TV SCAN këto shifra janë vetëdeklaruar nga ndërmarrjet deri në javën e parë të tetorit, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe janë arkëtuar dhe rreth 17 mln euro më shumë, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Megjithatë, përfaqësues të këtij dikasteri thonë se rritja nuk ka ardhur vetëm si pasojë e aksionit, por edhe për faktin se disa shoqëri ujësjellësish kanë rritur çmimet e ujit për konsumatorët familjarë dhe bizneset. Ndërkaq, Enti Rregullator i Ujit ka adresuar kritika në drejtim të ecurisë së reformës e më konkretisht në drejtim të lidhjeve të paligjshme , ku pritshmëria është në vlerën e 20% të numrit të përgjithshëm të konsumatorëve.
Ky dikaster vlerëson se në kuadër të aksionit të qeverisë për periudhën tetor 2017- maj 2018 janë evidentuar 14,366 lidhje të reja, të konsideruara si lidhje të paligjshme, të cilat përfaqësojnë vetëm 1.7% të numrit të përgjithshëm të konsumatorëve. Reforma në sektorin e ujit ka nisur në vitin 2016, por ajo rilançua nga qeveria në fund të vitit 2017, duke zbatuar fillimisht masat emergjente , përmes vetëdeklarimit të lidhjeve të paligjshme, me objektiva që duhet të realizohen deri në fund të vitit 2018.
Bilanci i aksionit të ujit:
75 mijë ujëmatës
35 mijë kontrata të reja
17 mln euro më shumë arkëtime
a.ç