Numri i azilkërkuesve që kanë fituar lejën e qëndrimit në një vend të Bashkimit Evropian për vitin 2017 është rritur me 4 përqind ose me 112 000 vetë në krahasim me 2016-n. Sipas zyrës së BE-së për statistikat, Eurostat, janë 3.1 milionë shtetas të huaj që janë pranuar, shumica e të cilëve nga Ukraina dhe Siria.
Vendet që kanë pranuar më shumë azilantë janë Polonia, Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Spanja, Italia, Suedia etj.
Arsyet e paraqitura nga azilkërkuesit kanë të bëjnë kryesisht me nevojat e punësimit (32 përqind), bashkim ose probleme familjare (26 përqind), arsim dhe edukim (17 përqind), si dhe mbrojtje ndërkombëtare për ata që largohen nga lufta dhe konfliktet e brendshme (24 përqind).
Për shembull, ukrainasit kërkuan azil kryesisht për punë, kinezët për arsim, marokenët për motive familjare, kurse sirianët, afganët dhe irakianët për arsye humanitare.
Megjithëse në media dhe debate të ndryshme politike raportohet për qytetarë nga Shqipëria që kërkojnë azil në vendet e BE-së, shqiptarët nuk janë në top-listën e fituesve të azilit për vitin 2017.
Kjo nuk do të thotë se s’ka të tillë, por numri i atyre që pranohen është fare i vogël ose i papërfillshëm në krahasim me ato të vendeve me popullsi shumë më të madhe.
Konkretisht, sipas komunikatës së shtypit të Eurostat-it, numrin më të madh të lejeve të qëndrimit e kanë fituar qytetarët e këtyre 10 vendeve kryesore: Ukraina, Siria, Kina (këtu përfshihen edhe ata nga Hong-Kongu), India, SHBA, Maroku, Afganistani, Iraku, Brazili dhe Turqia. Dokumenti specifikon gjithashtu se leja e qëndrimit në një vend të BE-së parakupton një autorizim banimi që i jepet një të huaji për një periudhë, të paktën, 3-mujore, e cila mund të zgjatet sipas disa kritereve të përcaktuara. Gj. Kola