Presidenti i Republikës komentoi debatin e ri ballkanik për kufirin Kosovë–Serbi në një ligjeratë të mbajtur në Qendrën Europiane “Xhorxh Marshall” në Gjermani. Sipas Metës, të kërkosh të normalizosh marrëdhëniet nëpërmjet shkëmbimit të territoreve do të thotë të shkatërrosh një investim 20 vjeçar sigurie në rajon.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, vlerëson se debati për kufirin Kosovë –Serbi, i shoqëruar javët e fundit me retorikë politike të ashpër dhe provokuese është një kërcënim i drejtëpërdrejtë për sigurinë në rajon. Në ligjeratën e mbajtur gjatë vizitës së tij në Qendrën Europiane “Xhorxh Marshall” në Garmish të Gjermanisë mbi çështjet e sigurisë dhe integrimin euro-atlantik të Ballkanit, Meta theksoi se vijimi i këtij debati mund të konsiderohet si kronika e një konflikti të parathënë e të paralajmëruar.
Ilir Meta:
“Më lejoni të jem i qartë, kërkimi i normalizimit të marrëdhënieve nëpërmjet shkëmbimit të territoreve do të thotë të shkatërrosh e të çosh dëm një investim sigurie prej dy dekadash. Le të risjellim në kujtesën tonë se si ambiciet politike që u përpoqën të krijojnë shtete etnike homogjene në Ballkan prodhuan tragjedi të tmerrshme njerëzore. Mijëra viktima dhe persona të zhdukur, dhjetëra mijëra njerëz të zhvendosur forcërisht ishin pasojat alarmuese të genocidit të Millosheviçit. Ky terror çoi në angazhimin e parë ushtarak të Aleancës Perëndimore në historinë e saj pesëdhjetëvjeçare”.
Sipas Metës, modeli europian i bashkëjetesës është i vetmi kusht i domosdoshëm për të ardhmen e Ballkanit dhe perspektivën e tij europiane.
“Do të ishte përtej çdo logjikimi të arsyeshëm se tani ky dialog po prodhon një marrëveshje të re, që ndryshon kufijtë përgjatë vijave etnike, duke shkuar kundër një procesi që ka zgjatur afro dy dekadasi dhe kundër vetëkonceptit dhe frymës së Bashkimit Europian, ashtu siç i dimë. Unë jam kundër çdo procesi, angazhimi, projekti që, në rajonin e Ballkanit, mund të bjerë ndesh me investimin e NATO-s dhe Bashkimit Europian përçështjen e sigurisë, stabilitetit, paqes dhe gjeopolitikën”.
Për kreun e shtetit Ballkani është një punë e papërfunduar, por është rajoni ku Perëndimi, NATO-ja, SHBA-ja dhe BE-ja kanë bërë investimet më historike politike, ushtarake dhe ekonomike pas viteve 1990-të.