Ishte e padyshimtë që të gjithë në “Old Trafford” nuk prisnin askënd tjetër veçse Ronaldon.
Rikthimi i portugezit në Manchester, i dyti pas atij me fanellën e Real Madrid disa vite më parë, ishte sigurisht më i mirëpritur se vetë ndeshja, që pavarësisht rezultatit, nuk është se ndryshon gjë në lidhje me kualifikimin.
Gjithsesi, në qytet dhe në stadium, të gjithë donin të shikonin CR7. Madje dikush ia doli të realizojë ëndrrën, duke arritur të depërtojë në fushën e “Old Trafford”, për të përqafuar idhullin e vjetër.
Mision i realizuar, sepse në një prej imazheve më ikonike të kohëve të fundit CR7 u ofrua qetësisht që të përqafojë tifozin, madje duke bërë edhe një selfie me atë, përpara se agjentët e sigurisë ta shoqëronin jashtë fushës.
Një selfie që klubit të Manchester United do t’i kushtojë shumë shtrenjtë. Sikurse raporton “Independent”, pas gjobës për vonesën në ndeshjen e zhvilluar në shtëpi kundër Valencias, kësaj here e shmangur pavarësisht se Mourinho mbërriti në stadium në këmbë, tashmë është koha të çelin sërish litarin e thesit.
Depërtimi i trefishtë në fushë do t’i kushtojë klubit anglez të paktën 15 mijë euro, sikurse përcakton neni 22 i normativës së sigurisë së UEFA.
Fundja kur një post i portugezit në Instagram vlen 1 milion euro, shitja e selife tek ndonjë gazetë apo media elektronike, mund të gjenerojë më shumë se sa gjoba e United.