Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe Komisioneri Publik nuk pajtohen me 10 vendime të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të 8 gjyqtarëve dhe dy prokurorëve.
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, struktura që mbikëqyr procesin e Vetingut dhe që kryen hetimet të pavarura për veprimtarinë e njerëzve të drejtësisë, rekomandon shkarkimin nga detyra të pesë gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët janë konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i njohur si organi bazë i Vetingut.
Përpos kryetarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kërkon rrëzimin e vendimeve të KPK edhe për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Administratives, Artur Malaj, Prokurorit për Krimet e Rënda, Gentian Osmani si dhe të gjyqtarit të Administratives Gentian Medja.
Sipas rekomandimeve të ONM, të siguruara nga Shqiptarja.com, katër gjyqtarët dhe prokurori nuk kanë respektuar nenin D të Kushtetutës së ndryshuar, i cili ndër të tjera parashikon që subjekti i rivlerësimit duhet të shpjegojë bindshëm burimin e ligjshëm të pasurive dhe të të ardhurave. Për rrjedhojë, ONM i ka kërkuar Komisionerit Publik, që të vërë në lëvizje Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, duke i kërkuar rrëzimin e vendimeve të KPK dhe shkarkimin e subjekteve nga detyra. Ndërkaq, vetë Komisioneri Publik i ka kërkuar Kolegjit të Apelimit ndryshimin e vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë për pesë subjekte të tjera.
Konkretisht, Komisioneri Publik i ka kërkuar KPA rrëzimin e vendimeve të KPK për konfirmimin në detyrë të gjyqtares në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda Nertina Kosova, anëtarin e Gjykatës së Lartë Edmond Islamaj, gjyqtaren në Gjykatën e Tiranë Alma Brati, gjyqtarit në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë Astrit Faqolli dhe prokuroren në Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Antoneta Sevdari.
Kolegji i Apelimit
Të gjitha çështjet tashmë janë në duart e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i cili është organi fundor i Vetingut. Kolegji i Apelimit do të vendosë për secilën çështjes se cili pretendim qëndron, vendimet e KPK apo arsyetimet e ONM dhe Komisionerit Publike.
Vendimet e Kolegjit do të jenë gjithashtu përcaktuese për fatin e 10 subjekteve në fjalë, nëse do të shkarkohen nga detyra apo do të vijojnë të shërbejnë në sistem. Vendimet e Kolegjit janë përfundimtare dhe hyjnë në fuqi menjëherë. Vendimet e Kolegjit mund të ankimohen vetëm në Strasburg.
Deri më sot, Kolegji i Apelimit ka lënë në fuqi të gjitha vendimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga detyra. Por, deri më sot Kolegji nuk ka marrë asnjë vendim për ankimimet e Komisionerit Publik, për rrëzimin e vendimeve të KPK për konfirmim subjektesh në detyrë.
Lista e gjyqtarëve dhe prokurorëve që duhen shkarkuar sipas ONM
Gentian Medja, gjyqtar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë.
Xhezair Zaganjori, kryetar i Gjykatës Kushtetuese
Artur Malaj, gjyqtar i Gjykatës Administrove të Apelit
Gentjan Osmani, Prokuroria për Krimet e Rënda
Bashkim Dedja, kryetar i Gjykatës së Lartë
Lista me subjektet që duhen shkarkuar sipas Komisionerit Publik
Nertina Kosova, gjyqtare në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda
Edmond Islamaj, anëtar i Gjykatës së Lartë
Alma Brati, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë
Astrit Faqolli gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, kandidat për KLGJ
Antoneta Sevdari, prokurore në Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë