Kamionët që tejkalojnë peshën janë cilësuar si shkatërruesit kryesorë të rrugëve kombëtare nga Ministria e Infrastrukturës.
Teksa inspektoi punimet për rehabilitimin e aksit Vorë-Fushë Krujë, ministri Gjiknuri paralajmëroi nisjen e aksionit në terren nga Policia Rrugore dhe Drejtoria e Shërbimit Rrugor.
“Të mos lejojmë më kamionë mbipeshë, të cilët janë shkatërruesit e vërtetë të rrugës. Ata e shkatërruan autostradën Tiranë-Durrës, ata mund ta shkatërrojnë edhe këtë rrugë në vitet në vijim më shpejt nëse do të lejohen mbingarkesat. Vihet re ky fenomen, kamionë që mbingarkohen me krom apo materiale të tjera. Shumë shpejt do të fillojmë një aksion me Policinë e Shtetit që të mos lejojmë më lëvizjen e tyre mbipeshë”, u shpreh Gjiknuri.
Sipas Kodit Rrugor në Shqipëri, pesha e lejuar për aks e mjetit së bashku me ngarkesën është 8 ton. Një standard ky thuajse që nuk zbatohet asnjëherë, sidomos në ngarkesat e mallrave të hapur, siç janë mineralet ku verifikimi nga autoritetet është i vështirë për shkak të mungesës së peshoreve të kamionëve nëpër akset kombëtare.
a.ç