Nga Flogert Muça
Shqipëria është një vend ku çfarë nuk na kanë parë sytë. Kemi parë se si digjet Shqipëria në 1997-ën, grushtin e shtetit në 1998-ën, një fshat si ai i Gërdecit që digjej nga bombat e biznesit që arritën deri në Hollivud. Gjithashtu kemi parë se si në mes të Bulevardit Shqipëria u gjakos në 21 janarin e kobshëm të 2011-ës, por ndërkohë që të gjitha këto ndodhinin, kurrë nuk i pamë pushtetet të ndara. Nuk pamë në asnjë moment që drejtësia të bënte punën e saj, pushteti të vazhdonte punën e tij e kështu me radhë.
Por, sot mesa duket qeveria shqiptare po bën atë që duhet të kishte bërë që me ardhjen e demokracisë; të mos ndërhyjë në punët e drejtësisë, sado të preken persona që kanë qenë deri dje ose janë edhe sot me pushtetin apo partinë në pushtet.
Rasti sotëm i arrestimit të ish-deputetit të PS-së, Arben Noka, për tjetërsim pronash është një lajm i mirë për drejtësinë shqiptare dhe qytetarët shqiptarë, por edhe tregues i një ndryshimi të madh mes mazhorancës dhe opozitës. Rasti e deshti që për të njëjtën akuzë siç u arrestua sot Noka, të arrestohej kryebashkiaku i Lezhës që vjen nga radhët e PD-së para pak muajsh. Në atë kohë opozita u ngrit e gjitha dhe iu hodh në fyt drejtësisë. Në fakt nuk kishte asnjë çudi në gjithë atë paradë të para disa muajve, ku PD shkoi dhe u ngrit në protestë për të liruar kryebashkiakun e saj të dyshuar për një vepër të tillë penale. Shqiptarët e kanë parë PD-në që të dalë në krah të abuzuesve në të gjitha kohët, por që mjafton 21 janari për t’i thënë të gjitha. Partia Demokratike akoma nuk është ndarë nga kultura se drejtësinë e bën partia, kulturë kjo që ka shkatërruar për mbi dy dekada të ardhmen e vendit.
Nga ana tjetër, PS-ja e cila është edhe partia e vetme që qeveris, kur i arrestohet një ish-deputet i saji apo edhe dy të tillë, siç i ndodhi sot, nuk bën asnjë gjë të jashtëzakonshme, por thjeshtë zbaton ligjin.
Absolutisht që nuk është heroizëm sjellja e PS-së dhe respektimi që ajo po i bën ligjit, por është një lajm i mirë për drejtësinë dhe një tregues se palët në Shqipëri vazhdojnë të jenë në dy skaje të ndryshme kur vjen puna për mënyrën se si e shohin drejtësinë. E sa më shumë Partia Demokratike të bëjë sulme ndaj drejtësisë si në rastin kur iu arrestua kryebashkiaku i saj i Lezhës, aq më shumë do iu tregojë shqiptarëve se është po ajo PD që ka qenë në 1994-’96, ’97, ’98…. në raport me ligjin dhe drejtësinë.
/lexo.al