Skuadra e kryeqytetit serb, Crvena Zvezda, po planifikon transferimin e mesfushorit të Kombëtares së Shqipërisë, Kamer Qaka.
Pak më shumë se dy muaj më parë, shefi ekzekutiv i Crvena Zvezdës, Zvezdan Terziç, do të deklaronte në një intervistë për mediat në vendin e tij se në klub ekzistonte një traditë që nuk thyhej dhe që tregonte se në radhët e skuadrës nuk kishte vend për një lojtar shqiptar.
Por i njëjti shef ekzekutiv duket se është gati të thyejë këtë tabu historike, pasi ka miratuar planin që skautë të klubit të ndjekin një futbollist të kombëtares kuqezi si objektiv të mundshëm të merkatos për sezonin e ardhshëm.
Qaka është një profil që ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve, mes tyre edhe Crvena Zvezdës, e cila e bindur nga cilësitë e lojtarit, ka harruar aspektin nacionalist dhe është fokusuar të aftësitë e tij sportive dhe kontributin që mund të japë ai për këtë skuadër.
Transferimi i tij pritet të diskutohet vetëm në verën e vitit 2019, pasi lojtari nuk mund të lëvizë në janar meqë është aktivizuar në këtë sezon futbollistik me dy klube, Steauan e Bukureshtit dhe Politeknika Iasi.
Qaka është grumbulluar më parë edhe nga trajneri Christian Panucci, në kombëtaren shqiptare.
/b.d