Mark Markuez shpallet për të pestën herë kampion bote në Moto GP, teksa numëron dhe triumfe në kategoritë inferior, Moto 2 dhe Moto 3. Spanjolli i Hondas, bëri një garë fantastike në pistën e Motegi, duke fituar garën e Çmimit të Madh të Japonisë, të cilën e nisi nga vendi i gjashtë dhe e mbylli si triumfues.
Markuez përfitoi nga dalja jashtë piste xhiron e parafundit të rivalit të tij kryesor Andrea Dovizioso, për të festuar matematikisht titullin, plotësisht i merituar.
Për Markuez ky është suksesi i tetë sezonal, ndaj dhe triumfi. Në vendin e dytë sot u rendit britaniku Kal Krutçlou dhe pas tij Alex Rins. Vetëm i katërti Valentino Rosi me Yamaha, 6 sekonda pas fituesit, një garë në dritë-hije për italianin, që e nisi atë nga vendi i nëntë. Rekordet e Rosit janë vënë në shënjestër.
”Jam shumë i lumtur. Çdo fitore ka shijen e saj dhe dua të vijoi në këtë rrugë. Rekordet e Rosit? Doktori është i mrekullueshëm, rekordet janë bërë për t’u thyer, por duhet punuar fort dhe me këmbët në tokë”, u shpreh Markuez.
/b.d