Të akuzuarit dhe të arrestuarit për implikim në ngjarjet e 27 prillit në Parlamentin e Maqedonisë, në një letër të hapur kanë akuzuar kreun e VMRO-DPMNE-së për atë që ata e cilësojnë tradhëti, duke lënë të kuptohet se kjo ka të bëj me përjashtimin e tetë deputetëve të cilët votuan për ndryshimin e Kushtetutës, por edhe për shkak të mosinteresimit për fatin e tyre. Letra e tyre është një tregues i qartë se brenda opozitës ka përçarje.
Në atë që ata e quajnë manifest, i bëhet thirrje Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së që të rishikojë vendimin e kryetarit Mickovski për përjashtimin e deputetëve nga partia: ‘Muajve të kaluar nga Mickovski na u premtua garanci me pronën e partisë – kjo nuk ndodhi! U premtua propozim-ligj për amnisti – kjo nuk ndodhi!’- thonë të ndaluarit për ngjarjet e përgjakshme të 27 prillit në të cilat u lëndua rëndë deputeti Ziadin Sela, por u përgjak edhe kryeministri aktual Zoran Zaev.
‘Le të jemi të arrestuarit e fundit nëpër qelitë e errëta. Ne jemi për pajtim!’- thonë ata, duke i bërë të ditur kreut të partisë më të madhe opozitare, Hristijan Mickovski, se çfarëdo sulmi, direkt ose indirekt, mbi cilindo prej 49 deputetëve do ta konsiderojnë si sulm ndaj tyre’.
Të ndaluarit për ngjarjet e 27 prillit kanë mbështetur idenë e kryeministrit Zoran Zaev për falje dhe pajtim. Ata madje bëjnë thirrje që, sikurse thonë, t’ju shtrihet dora e pajtimit edhe shqiptarëve: ‘Kërkojmë hyrjen urgjente të Maqedonisë në NATO, që të kemi tërësi të sigurt territoriale!’ – thuhet ndër të tjera në paraqitjen publike të këtij grupimi.
Ndërkohë, nga shumica parlamentare lënë të kuptohet se do të nisë, pa vonesa, zbatimi i kërkesave të tetë deputetëve të VMRO-DPMNE-së të cilët të premten votuan për ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë lidhur me garancinë për ruajtjen e identittetit maqedonas, përdorimin e shkallëshkallshëm të emrit brenda vendit, por edhe për amnistinë eventuale. Për këtë të fundit Parlamenti do të hapë debatin jo më vonë se nesër.
/b.d