“Mos prisni që qeveria të bjerë”. Kështu u shpreh Panos Kamenos në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të partisë “Grekët e pavarur” në Selanik.
Ministri grek i Mbrojtjes foli pas debatit që pati me ish-ministrin e Jashtëm Nikos Kotzias për marrëveshjen me Maqedoninë.
Ai e përshkroi si të ndershëm të hapur bashkëpunimin e partisë së tij “Grekët e Pavarur” me SYRIZA-n e Alexis Tsipras. Madje ai shtoi që askush nuk duhet të presë rrëzimin e qeverisë.
“Atë që duhet të themi, e themi hapur dhe publikisht. Për çfarë jemi dakord dhe për çfarë nuk jemi. Sikurse tha dhe z.Tsipras, çështja e Shkupit nuk ekzistonte në bashkëpunimin e SYRIZA me “Grekët e pavarur”. Ne kemi një pozicion të qartë dhe publik, nuk mund të pranojmë asnjë emërtim që përmban termin Maqedoni.
Ne nuk do të tërhiqemi dhe SYRIZA nuk na ka kërkuar që të tërhiqemi. Ne e kemi thënë që në fillim se nuk do ta mbështesim marrëveshjen e Prespës. Qëndrimi ynë në qeveri do të jetë deri kur ligji të vijë në Parlament. Do të flasim përsëri në Mars”, tha ministri Kamenos.
Nikos Kotzias dha dorëheqjen si ministër i Jashtëm i Greqisë pas përplasjeve të forta që pati me Kamenos. Sipas tij, ministri i Mbrojtjes ndërhyri në punën e tij në lidhje me marrëveshjen e Maqedonisë. Kotzias u shpreh se diplomacia është ekskluzivitet që i përket Kryeministrit dhe Ministrisë së Jashtme, jo asaj të Mbrojtjes.
a.ç