Nga Ben Andoni
Partisë Demokratike po i dhurohen subjektet e kundërshtisë ndaj pushtetit të Partisë Socialiste, prej qeverisjes arrogante të kryeministrit aktual, Edi Rama dhe strukturave të tij, që e imitojnë keqazi, qoftë në formë,por shumë më keq në përmbajtje. Nëse Z.Rama flet me figuracione dhe bën lojëra fjalësh, këtë e ndjen në çdo strukturë të qeverisë së tij me imitimet e trasha, madje deri në neologjizmat, që ai prodhon në çdo hap. Për të ardhur keq është jo thjesht mungesa e modestisë së kryeministrit, por edhe mos aftësia për të parashikuar sesi amplifikohet qëndrimi i tij.
Kjo e fundit po ushqen sot për protesta mediatike opozitën e drejtuar pa shumë fantazi nga z.Basha. Në fakt, fantazia nuk duhet shumë në mandatin e dytë të qeverisjes së partive politike shqiptare, pasi ato fillojnë bëjnë gabimet e zakonshme: Velen nga pushteti, humbin kontaktin me njerëzit dhe janë larg gjërave që prodhojnë shifrat me terrenin. Në ekonomi ka teori që e shpjegojnë shumë qartë se loja e shifrave nuk tregon realisht zhvillimin e një vendi. Kjo e shpjegon arsyen që kur vjen kriza e pashmangshme të gjithë ngrenë duart sipër dhe flasin në jerm.
Duke u kthyer pas në temën tonë: PD-ja po flet më shumë me zërin dhe hijen e Berishës sesa me vokacionin e kryetarit të saj aktual. Për fat të keq, z.Basha në pozicionin që ndodhet e ka të vështirë ndarjen 100% me z.Berisha, por askush nuk e kishte pritur që ai të ishte edhe pas pesë vitesh tejet i varur nga një kryetar që nisi prishjen dhe e degradoi Partinë Demokratike, cilësisht dhe nga ana sasiore. Dhe, ndodh që z.Basha mundohet të tregojë rrallë fytyrën e një partie të së ardhmes evropiane, por zëri i z.Berisha vjen sakaq për të ndjellë dhunën dhe ardhjen nëpërmjet saj në pushtet, duke e bërë krejt fake imazhin e PD-së.
Kryetari i sotëm de jure i opozitës, paçka pretendimeve të tij, e ka pasur dhe e ka ndihmën totale për të treguar një fytyrë tjetër, por duket se fuqia e Berishës mbi numrat e tkurrur të PD-së është tërësisht prezente. Ajo që i duhet sot PD-së është që Basha të vendosë rregullin brenda sinoreve të veta. Nuk ka pse ta mohojë Berishën për simbolikën e tij, por mund t’i tregojë se tashmë ai meriton poltronin e pensionistit, nga ku mund të mendojë për faktin që historia i dha mundësinë e artë të bëjë diçka të madhe dhe ai nuk arriti ta bënte dot për shqiptarët.
Dhe, çfarë mund të bënte Bashën: Partia Demokratike duhet të rikthejë fillimisht njerëzit që i largoi turpshëm. Astrit Patosi, Jozefina Topalli, Majlinda Bregu, Ilir Rusmajli etj., duhet të jenë shenjat e para të kthesës së tij…Paçka detyrimeve të tyre aktuale, ata mund të rikthejnë Partinë Demokratike me formën e dikurshme, por edhe të frymëzojnë ngado demokratët e tulatur. “Plangprishësit” duhet të kthehen edhe për një kuptim tjetër. Në momentin e “eksilit” të tyre të detyruar, paçka se shumë prej tyre janë të kënaqur sot me statuset, ata janë maturuar por edhe kanë parë realisht sesi duhet të funksionojë një forcë e djathtë moderne.
Dhe, kjo, bëhet imediate sot, kur të Djathtët do e dominojnë parlamentin e ardhshëm evropian. Nëse Basha nuk arrin ta bëjë atëherë është vërtetë do mbetet ashtu si ekziston perceptimi për të: një vegël qorre e Berishës. Duke ditur se kahu i zhvillimit është përpara, kuptohet që edhe nënvetëdija e Bashës mund të jetë tashmë orientimi më i mirë për të, që të heqë dorë nga investimi 100% te Babalet dhe stisjet dhe të përgatitet për qeverisjen, mundësinë e artë, që gjithsesi e mori nga njeriu që e ngriti dhe po e pengon të jetë lider, z.Berisha. (Javanews)