Nga Alfred Peza
Në Shqipëri, opozita hap, përfshihet dhe udhëheq çfarëdo lloj debati, përveç asaj që ka të bëjë me korrupsionin në këtë vend, me ekonominë, me problemet sociale, me mirëqenien e njerëzve, me programin e saj të ardhshëm qeverisës, me alternativën e re të saj për ndryshim, me punësimin, me hapjen e vendeve të reja të punës, me investimet vendase dhe të huaja, me nxitjen e prodhimit dhe të industrisë së turzimit, me imazhin e vendit dhe nxitjen e integrimit europian.
Keni parë debate për Babale, Xhisielën, Taulantin, portalet, paketën antishpifje, konçensionet, PPP-të, check-up-in, lodrat te Liqeni, sheshin Skenderbej, për krimin, për mafien, për oligarkët, për cannabisin, e për çfarë tjetër nuk keni dëgjuar e do dëgjoni e shikoni, deri në zgjedhjet lokale të qershorit të ardhshëm. Zgjedhje të cilat përkojnë edhe me momentin kohor të marrjes së vendimit për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE.
Nuk keni parë opozitën që të shkojë në Parlament, nuk e keni parë që të shkojë në komisionet Parlamentare. Nuk e keni parë opozitën që të shkojë përtej gardhit të SHQUP-it dhe banaqeve televizive. Nuk i keni parë prej sa nuk mbahet mend liderët e opozitën që të dalin nga Tirana e të shkojnë të takojnë popullin opozitar në terren. Nëpër qytetet dhe fshatrat, në çdo cep të Shqipërisë. Nuk e keni parë prej gjysëm viti opozitën nëpër mitingje, nëpër takime me strukturat e tyre drejtuese në bazë e në qendër. E ndoshta nuk do ta shihni, as përgjatë këtyre javëve të mbetura të këtij viti.
E keni parë opozitën që të nxjerri kaseta, që të publikojë biseda të bëra e të pabëra, të montuara e të pamontuara. E keni parë opozitën që të shpallë një herë në javë nga një revolucion të ri. Herë revolucion demokratik, e herë me dhunë. Herë revolucion të kadifenjtë, e herë blu. Herë revolucion si i dhjetorit, e herë si ai i shtatorit. Keni për të parë e çfarë tjetër nuk keni për të parë. Por, vetëm atë që duhet të shihni, derisa nuk e keni parë deri më sot, e sigurtë është se nuk do ta shihni as nesër.
E keni parë opozitën që “të zerë për një një orë hundën me dorë”, por nuk e keni parë opozitën që të çojë alternativën e saj në Bruksel për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit në BE. E keni parë opozitën që kërkon të iki Edi Rama nga kreu i qeverisë që ata të hyjnë në zgjedhje, por nuk e keni parë asnjëherë opozitën që të shkojë e të japi alternativën e saj në Parlament për reformën zgjedhore. E keni parë opozitën që të kërkojë largimin e Fatmir Xhafës, Ardi Veliut, Arta Markut, Donika Prelës, Taulant Ballës, etj por nuk e keni parë opozitën që të shkojë në komisonin e rendit dhe sigurisë apo atë të ligjeve, që të dërgojë nisma parlamentare, apo të kërkojë interpelanca, për të debatuar dhe gjetur zgjidhje.
Keni parë një opozitë që i ikën njerëzve, strukturave, mitingjeve, komisioneve dhe seancës plenare të Kuvendit dhe i afrohet debateve televizive, konferencave të shtypit, kasetave, Babales. Keni parë dikur po këtë opozitë që ishte reale e u rikthye pas 8 vitesh në pushtet dhe po shihni tani një opozitë virtuale, që kërkon të rikthehet më shpejt se atëherë. Keni parë dikur një opozitë në rrugë, shikoni tani një opozitë në rrjetet sociale. Keni parë atëherë një opozitë në mitingje, shikoni tani një opozitë në televizor.
Atë opozitë kur u rikthye në pushtet atëherë, e kemi parë. Nëse do ta shohim të rikthehet pas 8 vjetësh këtë radhë, kjo mbetet për tu parë. Një gjë është e sigurtë se, atë vetë deri më sot e kanë parë, por ajo përkrahësit dhe mbështetësit e vet, ende jo. Se kur do ti shohë, e kur do ta ndjejnë, kjo mbetet për tu parë! Por mbi të gjitha, për tu provuar. Me votë. Qershori, nuk është larg!
a.ç