Policia e Shtetit ka dhënë detaje të tjera nga operacioni ku u arrestua reperi Stresi, i cili akuzohet nga uniformat blu si anëtar i një grupi kriminal.
“Forca e Ligjit në veprim vë në pranga një nga antarët e një grupi kriminal që operon në Tiranë në lidhje me aktivitetin e kundraligjshëm me tendencë “Trafikim narkotikësh” dhe “Krimeve kundër personit””, njofton policia
Arkimed Lushaj, 31 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë, u kap nga policia e Tiranës
Reperi, u arrestua në një hotel në Linzë ku iu gjetën armë e kokainë.
Gjykata pranë Shkallës së Parë Tiranë me vendimin nr 1972 datë 17.10.2018, ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në lidhje me veprën penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”, parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal .
Ndalimi i këtij shtetasit u bë pas një hetimi disa mujor në bashkepunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë me metoda speciale të hetimit që janë kryer në funksion të një grupi kriminal që operon në Tiranë në lidhje me aktivitetin e kundraligjshëm me tendencë “Trafikim narkotikësh” dhe “Krimeve kundër personit” .
Gjatë arrestimit këtij shtetasi në ambjentet e një hoteli të ndodhur në vendin e quajtur Linzë gjatë kontrollit të ushtruar i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi e vogël lënde narkotike e dyshuar kokainë, një armë zjarri pistoletë e tipit “Pjetro Beretta” , si dhe 12 fishekë të modelit 7.65 mm.
Nga veprimet hetimore të kryera në lidhje me ngjarjen e mësipërme filloi procedimi penal në gjendje të lirë në lidhje me veprën penale të “Moskallzimit të krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal ndaj shtetases P. Ç., 20 vjeçe, banuese në Tiranë.
Por kjo nuk është hera e parë që Arkimed Lushaj prangoset për mbajtje armësh pa leje, ai njihet edhe për përfshirjen e tij në sherre dhe konflikte të tjera. Herën e fundit, Stresi ka përfunduar në prangat e policisë, ka qenë në 13 prill të këtij viti, teksa konsumonte kokainë në një lokal në Tiranë.
a.ç