“Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e së martës veprimet e Zyrës Përmbarimore të Durrësit, e cila la në mëshirë të fatit një fëmijë 5-vjeçar dhe nënën e tij, që kishte 6 urdhra mbrojtjeje nga ish-bashkëshorti. Madje, përmbaruesi Marsel Himollari nuk bëri procesverbal për dhunën e ushtruar ndaj fëmijës, por “u sëmur” përpara shefes së tij dhe shkoi për të parë ndeshjen e futbollit Izrael-Shqipëri.
Gazetarët e “Fiks Fare” kanë faktuar nëpërmjet kamerave të fshehta dhe regjistrimeve audio, se Zyra e Përmbarimit të Durrësit, që ka trajtuar rastet e takimit të nënës, fëmijës dhe babait, dukshëm ka mbështetur babanë. Madje, edhe në procesverbalet që janë mbajtur në këtë zyrë, shkruhet ajo çfarë kërkon babai dhe jo çfarë ka ndodhur në të vërtetë.
Në datën 21 maj 2018, në zyrën e kryetares së Përmbarimit të Durrësit, Arjana Lito, dhe në prani të përmbaruesit gjyqësor, Marsel Himollari, është mbajtur një procesverbal, ku nga pala kreditore (ish-bashkëshorti) pretendohet që fëmija është braktisur nga e ëma. Madje, në procesverbal specifikohet që pala debitore (nëna) e ka lënë atë 10 metra larg. Të gjitha këto pretendime, sipas kryetares së zyrës janë thënie të babait.
“Kështu kërkoi ai të shkruhej në procesverbal. Dhe ne e shkruam”, tha kryetarja e pyetur nga gazetarët e “Fiksit”. Më tej shtoi se nënën e ka parë sapo kishte ardhur në zyrë, të ulur aty, që në orën 8:00. Pra, zonja Arjana bie në kundërshtim me ato që ka firmosur vet në procesverbal, që nëna e ka lënë fëmijën 10 metra larg në fillim të sallonit të zyrave.
Ndërkohë, “Fiks Fare” bëri një vëzhgim në Zyrën e Përmbarimit të Durrësit, ku pyeti për përmbaruesin Florian Keçi, i cili ka çështjen e fëmijës 5-vjeçar, e ku rezultoi se ai nuk rri asnjëherë në zyrë. Sipas punonjësve, të gjithë kanë frikë ta marrin në telefon. Madje, edhe vet kryetarja e Përmbarimit thotë që ai është shumë i sëmurë dhe nuk vjen në punë.
Por, telefonata më nënën e djalit nxjerr zbuluar pikërisht përmbaruesin, i cili i thotë se në takimin e radhës nuk mund të jetë i pranishëm, pasi do të iki për të parë ndeshjen që luan Shqipëria në Izrael dhe se, për asnjë arsye në botë, jo për djalin e saj, por as për babanë, nuk ka ndërmend që ta lërë ndeshjen pa parë.
Për këtë regjistrim, “Fiksi” pyeti kryetaren e Përmbarimit të Durrësit, e cila thotë se në dijeninë e saj, përmbaruesi ka marrë leje pasi është i sëmurë. Por, kur gazetarët i vendosin të dëgjojë telefonatën mes përmbaruesit dhe nënës, ajo thotë që nuk ka dijeni.
“Unë di që ai është sëmurë, por që ditën e nesërme do të bëhen verifikimet”, thotë ajo.
E pyetur për rastin konkret, ajo shprehet se nuk di ç’të thotë më shumë, edhe pse është informuar për dhunën e ushtruar ndaj djalit, pasi nëna ka sjellë fotot. Por, sipas saj, nga përmbaruesi i është thënë që fëmija ka qenë mirë në momentin e dorëzimit. Madje, ajo këmbëngul që babai i djalit ka një urdhër mbrojtjeje ndaj ish-vjehrrit dhe se nuk ka dijeni që nëna ka 6 urdhra mbrojtjeje nga ish-bashkëshorti.
Pas transmetimit të investigimit, në zyrat e “Fiks Fare” në Top Channel u paraqit edhe përmbaruesi Florian Keçi, i cili pretendoi se nuk ka bërë shkelje të detyrës, pasi urdhri i gjykatës është respektuar me përpikmëri dhe se nga ai janë mbajtur procesverbalet, edhe pse nuk ishte e nevojshme. Ai thotë se nuk e di që nëna ka urdhra mbrojtjeje, por edhe po të kishte, nuk ka problem për ta marrë fëmijën në kopsht. Për mungesën në punë, ai thotë se ka qenë jashtë shtetit dhe se kryetarja e ka keqkuptuar. I pyetur nëse e kishte parë ndeshjen Izrael-Shqipëri, ai tha “po”, madje edhe ishte emocionuar shumë. Top Channel