Albert Veliu, apo i njohur tashmë si Babalja, është njeriu që ka trazuar jetën politike të muajve të fundit, me dorëzimin e një audiopërgjimi, ku implikohej Agron Xhafaj, vëllai i Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafajt, në histori trafikimi droge.
Aktualisht Babalja ndodhet në kampin e azilantëve, në Prishtinë, ku gjykatat kosovare refuzuan kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta ekstraduar, dhe pret që të fitojë statusin e azilantit politik në Kosovë. Në një intervistë për emisionin “Open” në Top Channel, Albert Veliu tregoi për Eni Vasilin se audiopërgjimin ia kishte dorëzuar Jetmir Olldashit, për ët cilin e dinte se punonte në SHISH dhe jo gazetar.
“Për transmetimin e audiopërgjimit, mësova pas një telefonate të djalit tim. Unë ia kisha dorëzuar materialin njërit që punonte në SHIK,(tashmë SHISH), Jetmir Olldashit. Nuk e dija që ai ishte gazetar”, deklaroi Babalja për “Open”. Albert Veliu shtoi gjithashtu se transmetimi i audiopërgjimit ishte bërë nga gazetari Olldashi dhe PD-ja, pa lejën e tij.
Babalja tregon se ka aplikuar për azil në Kosovë, pasi i rrezikohet jeta në Shqipëri. Ai thote se si policia i ishte ofruar për mbrojtje, ndonëse emri i tij nuk ishte publikuar ende, pas transmetimit të audiopërgjimit me Agron Xhafajn.
“Shkon shefi i krimeve të Vlorës dhe i kërkon djalit tim, numrin tim të telefonit. Më telefonoi dhe më tha se kishin urdhër të më merrnin në mbrojtje, ndërkohë që emri im nuk kishte dalë ende, pasi në audiopërgjim përdorej emri “Dëshmitari X”. Pra, pa dalë emri im asgjëkundi, shteti më dërgon policinë të më mbrojë. Unë e refuzova dhe u thashë se nuk kam nevojë për mbrojtje, pasi nuk kam bërë asnjë gjë”, deklaroi Babalja.
Albert Veliu deklaroi se është i bindur se do të fitojë azilin politik në Kosovë, pasi kërkesa e tij është në përputhje me të gjitha konventat europiane dhe mbi të gjitha, se ksihte besimj te shteti kosovar.
Vetë Albert Veliu, në rrëfimin e tij për “Open” këmbëngul se në audiopërgjim është zëri i tij dhe ai i Agron Xhafajt, vëllait të ministrit të Brendshëm. Babalja shton gjithashtu se i janë bërë shumë oferta, por edhe presione që të dalë e të thotë se audioregjistrimi ishte i manipuluar, por se i ka refuzuar.
“Unë i qëndroj deri në vdekje, vërtetësisë së atij audiopërgjimi. Le të presim që të dalë nga burgu ai përsoni tjetër (Agron Xhafaj), dhe të bëjmë ballafaqimin. Të na merret zëri të dyve dhe më pas do provohet që unë kam të drejtë. Unë i qëndroj të vërtetës time dhe nuk kam frikë për veten, por vetëm për familjen time”, deklaroi Albert Veliu.
ma.me