Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje policisëve që të mos pengohen nga shpifjet në punën e tyre.
Ai tha se me opozitën apo akuzues të tjerë, nuk duhet replikuar në publik, por shpifjet të dërgohen në gjyq.
Si rast, Rama mori deklaratën e Drejtorit të Përgjithshëm, Ardi Veliu, që reagoi për videon e dytë të Fredi Alizotit.
Gjatë një takimi me strukturat dhe drejtues të Policisë së Shtetit, Rama tha se opozita po tenton të përcjellë një situatë pasigurie.
“Statistikat për kriminalitetit janë në anën tonë” – tha kreu i ekzekutivit teksa shtoi se – “ka pasur më shumë raste vitin e shkuar, por është folur shumë më pak se sot”.
Ai u ndal edhe te vrasja në ish-Bllok ku dy grupe të rinjsh u përplasën me armë pak ditë më parë.
“Bota i njeh si Fake News që përhapen. Lajmi i rrem, shpifja ka qenë me ne në faqet e gazetave dhe në mediat tradicionale.
Kam ardhur këtu, sepse dalldia e shpifjes nuk duhet të ndikojë në asnjë mënyrë në punë tuaj.
Fëlliqësitë e hedhura mbi uniformat e tuaja, nuk duhet t’u shpërqendrojne nga misioni dhe qëllimi. Që nga të fortët e llojit, që sollën përgjakjen e bllokut në Tiranë, e deri tek ata kundra-vajtësit që shkelin rregullat”, shtoi Rama.
***
“Shpifjet të mos ndikojnë në punën tuaj. Pushteti nuk merret me forcë, kur nuk merret me votë. Po tentojnë të përcjellin situatë pasigurie përmes kësaj barbarie politike dhe mediatike. Duan të krijojnë përceptim të kundërt për krimin. Statistikat tregojnë rënie të krimit në vendin tonë. Krimi matet me statistika. Ka patur më shumë vrasje vitin e shkuar, por është folur më pak për krimin se sot. 40 vrasje këtë vit, 43 vjet në të njëjtën periudhë, 84 në të njëjtën periudhë në janar-shtator të 2013. Dhe më keq akoma në 2012, ku kishim 92 vrasje. Në 2012 kishtë më shumë se dyfishi i vrasjeve që kanë ndodhur këtë vit për periudhën janar shtator. Ka nisur një betejë, portal me portal, banak me banak, ku sulmohet policia”, tha Rama
Rama krahasoi edhe situatën e krimit në Shqipëri, me kriminalitetin në vendet e BE. Shefi i qeverisë deklaroi se Tirana ka më pak krim se në Romë dhe Athinë
“Roma, Athina e kanë më të lartë se Tirana indeksin e krimit. Tirana ka indeks më të lartë sigurie se Roma dhe Athina. Por në Romë dhe Athinë nuk hidhet kurrë helm për krimin. Indeksi i sigurisë në Rajon, tregon përmirësimin e madh të Shqipërisë. Krahasur më vendet e BE, Shqipëria është nën mesataren e vendeve të BE përsa i përket krimit. PSh. Britania dhe Suedia, Italia, Franca, Bullgaria, Belgjika, kanë indeks kriminaliteti më të lartë se Shqipëria. Por ata nuk e bëjnë katran me bojë vendin e tyre. Edhe për indeksin e sigurisë, renditemi ndër më të sigurtët në Europë”, deklaroi Rama
Rama kritika SHÇBA: Pse nuk publikuat pamjet e komisariatit në Krujë?
Kryeministri Edi Rama është shprehur i revoltuar me SHÇBA-në përse nuk reagoi në kohë dhe përse nuk publikoi pamjet e kamerave të sigurisë së komisariatit në Krujë, kur u bënë publike akuzat e ish-oficerit Emiljano Nuhu.
“Sot djali i deputetit është aty ku e ka çuar drejtësia, jo aty ku dje do ta kishte lënë partia. Ku ishte drejtori i SHÇBA kur shpifësi me uniformë e solli me shkrim shpifjen e tij? Pse nuk u veprua menjëherë për të bërë kontrollin e plotë kur letra u bë publike? Pse iu la një shpifësie tërë koha që të krijonte një vorbull pasi kishte hedhur shpifjen në kazanin e duhur dhe ia kishte mbathur.
Kujt ia kishte borxh kjo trupë njerëzish, mosreagimin me kohë dhe me qartësi të SHÇBA ndaj agresionit që iu bë Policisë së Shtetit. Pse iu mohua publikut shqiptar e drejta për të parë të vërtetën në kamerat e komisariatit. Lidhur me të gjithë skenën e fantazuar, në pamjet e kamerave del qartë se e gjithë skena është një sajesë e tij fund e krye.
Fakti është që kamerat iu dërguan Prokurorisë, po nuk e justifikon gjithë atë baltë që mori Policia e Shtetit. U la gjithë Shqipëria të përpëlitej në vorbullën e një fantazie, me deputetë të armatosur që futen në komisariat. E vërteta në krahun e Policisë së Shtetit, dhe Policia e Shtetit që rri dhe pret të reagojë. Po unë s’mund ta pranoj dot që një jashtënxjerrje kaq e fëlliqur mbi policinë të marrë dhenë, nuk u jepet publikut po thjesht çohet në Prokurori”, tha Rama.
Javanews.al