Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara po marrin në konsideratë bojkotimin e një konference të rëndësishme ndërkombëtare në Arabinë Saudite, pas zhdukjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.
I njohur si një kritik i ashpër i qeverisë saudite, ai u zhduk më 2 tetor pasi kishte hyrë në Konsullatën saudite në Stamboll, pa dalë më prej andej. Autoritetet turke besojnë se ai është vrarë brenda konsullatës nga agjentë sauditë, një pretendim që Rijadi e ka hedhur poshtë si “të gënjeshtërt”.
Për këtë rast nuk ka munguar as reagimi i presidentit Donald Trump, i cili është shprehur i gatshëm “ta ndëshkojë rëndë” Arabinë Saudite, nëse zbulohet të ketë përgjegjësi në zhdukjen e tij.
E mbiquajtur edhe si “Davosi i shkretëtirës”, konferenca ndërkombëtare e investitorëve që do të mbahej këtë muaj në Rijad është bojkotuar edhe nga një sërë grupesh mediatike dhe sponsorësh, pikërisht për shkak të fatit të pazbardhur të Khashoggit.
Burime diplomatike i kanë thënë BBC-së se, si Sekretari amerikan i Thesarit, Steve Mnuchin, ashtu dhe Sekretari britanik për Tregtinë ndërkombëtare, Liam Fox, mund të mos marrin pjesë në atë konferencë. Konferenca organizohet nga Princi i kurorës së Mbretërisë arabe, Mohamed bin Salman, për të promovuar agjendën e tij.
NJë deklaratë e përbashkët për dënimin e aktit, nëse konfirmohet vërtetësia e vrasjes së tij nga agjentët sauditë, po diskutohet edhe mes diplomatëve europianë e amerikanë. Top Channel