Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte mbrëmjen e djeshme për ngushëllime në familjet e tre personave, dy punonjës të bashkisë së Matit dhe njëri banor i zonës, të cilët u ekzekutuan me armë zjarri nga Kujtim Koxha dy ditë më parë. Basha vizitoi edhe të plagosurin që ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën, ndërsa në një prononcim për mediat i pyetur nëse duhet të rikthehet dënimi me vdekje pas ngjarjeve të fundit, lideri i PD-së u përgjigj se është i gatshëm që ta shtrojë këtë pyetje në referendum kur Partia Demokratike të vijë në pushtet.
“Kjo është një çështje që u takon qytetarëve shqiptarë, unë personalisht jam i gatshëm që këtë pyetje t’ia shtroj popullit shqiptar qoftë edhe si referendum në momentin që PD do marrë përgjegjësinë për të qeverisur vendin”, tha Basha.
Por a mundet që Shqipëria të rikthejë dënimin me vdekje? Pak kohë më parë, Romana Vlahutin, ish-ambasadore e Bashkimit Europian në Tiranë u shpreh se BE nuk e pranon një gjë të tillë. ‘Dënimi me vdekje nuk pranohet nga BE’ tha ajo në 4 maj 2018.
Shqipëria e ka hequr dënimin me vdekje pas vitit 1992. Rasti i fundit u shënua në qytetin e Fierit, ku u varën dy persona në mes të sheshit, të akuzuar për masakrën e Libofshës. Vëllezërit Josif dhe Dritëbardh Çuko u varën, pasi u shpallën fajtorë për atë që u quajt “Masakra e Libofshës”.
Ngjarja ndodhi në 29 maj të vitit 1992 kur këta hynë në mesnatë në banesën e familjes Puto me qëllim grabitjen. Si pasojë ata vranë djalin e vogël të shtëpisë, së bashku me nusen e tij, babanë dhe nënën, pasi e torturuan dhe në fund mbesën 8-muajshe të familjes. Rikthimi i tezës së dënimit me vdekje është duket vetëm për konsum politik, pasi një gjë e tillë automatikisht e nxjerrë Shqipërinë jashtë Evropës dhe institucioneve ku ajo bën pjesë si PE dhe KE. Edhe Partia Republikane, aleate e Bashës ka kërkuar me kohë vendosjen e dënimit me vdekje, por një hap i tillë nuk është marrë në konsideratë as nga PD dhe as nga PS.
ma.me/javanews.al