Në spitalin rajonal të Durrësit ofrohet për herë të parë shërbimi i plotë për sëmundjet e gjirit, duke filluar nga diagnostikimi, vendosja e diagnozës, shërbimi kirurgjikal, trajtimi dhe kujdesi paliativ.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu inaguroi sot Njësinë e re të Senologjisë në spitalin e Durrësit, e shoqëruar nga ekipi i mjekëve të QSUT dhe deputetet e zonës.
“Ngritja e Njësisë së Senologjisë në spitalin e Durrësit, e para në një spital rajonal (pas QSUT) mundëson ofrimin e të gjithë ciklit të shërbimeve, 360 gradë, brenda këtij spitali, duke ofruar për herë të parë shërbimin e plotë afër vendbanimit për të gjithë qarkun e Durrësit, në mënyrë që gratë me kancer gjiri të mos kenë nevojë t’i drejtohen QSUT qoftë për konfirmimin e diagnozës apo për trajtimin e mëtejshëm të saj”, tha Manastirliu.
Njësia e re u mundësua falë investimeve në pajisje mjekësore, por edhe kualifikimit të ekipit të mjekëve të spitalit të Durrësit për ofrimin e shërbimit të plotë për sëmundjet e gjirit. Njësia e re e Senologjisë në spitalin e Durrësit, e pajisur me të gjithë aparaturat e nevojshme, mundëson krijimin e një bërthame të re në fushën e Onkologjisë, e cila për herë të parë do të mundësojë një konsultë multifunksionale që do të përbëhet nga mjekë të specialiteteve të ndryshme: Mjek kirurg, mjek kirurg onkolog, mjek kirurg senolog, mjek radiolog, mjek onkolog kimioterapeut, anatomopatolog, punonjës social, psikolog, infermier të dedikuar.
Ky shërbim i integruar është me rëndësi pasi jo vetëm shmang sorollatjet e pacientëve por edhe adreson më shpejt problematikat, pasi i gjithë cikli i shërbimit do të ofrohet brenda kësaj Njësie të re, e para pas QSUT-së, e cila mbetet një qendër reference për të gjithë vendin.
Hapja e Njësisë së re të Senologjisë vjen në muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, kur shërbimi për diagnostikimin e hershëm të sëmundjes po ofrohet me orar të zgjatur, për tju dhënë mundësi sa më shumë grave të kryejnë ekzaminimin e gjirit në Tiranë dhe në 9 spitale rajonale. Së bashku dhe me 2 mamografët e lëvizshëm shërbimi po ofrohet nga veriu në jug të vendit, duke e dyfishuar numrin e mamografive të kryera në rang kombëtar.