Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Ambasadën e Italisë në vendin tonë, zhvilloi ceremoninë e zhvendosjes në varrezat murale të Sharrës të eshtrave të 6 shtetasve të parë italianë, që i përkasin periudhës para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në këtë ceremoni mori pjesë kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Kryeipeshkëvi i Tiranës dhe Durrësit, Imzot George Frendo dhe ambasadori i Italisë në vendin tonë, Alberto Kutilo.
Kryebashkiaku i Tiranës tha se pas investimeve që kanë përfshirë të dyja varrezat publike, tani ka ardhur koha që qyteti të bëjë një hap tjetër të guximshëm, por që respekton si ata që nuk jetojnë më, ashtu edhe i krijon qytetit mundësi që të mos shpërdorojë hapësirat publike.
“Është shumë e rëndësishme që nisim procedurën për 102 shtetasit italianë të viteve ’30-’40, pra të epokës midis Luftës së Parë dhe Luftës së Dytë Botërore, për të dhënë një shembull se si kjo procedurë bëhet me shumë dinjitet, duke respektuar të gjithë kodet e besimit, kodet civile, duke mësuar nga një shtet modern”, tha Veliaj. Ai theksoi se kultura e varrezave murale është e aplikuar prej shumë kohësh nga shumë shtete dhe sjell një trajtim modern qoftë në respektimin e atyre që janë larguar nga jeta, ashtu edhe në menaxhimin e varrezave publike.
Ai theksoi se ndryshe nga Italia, praktika e varrezave murale në Shqipëri do të aplikohet vetëm me varret e vjetra dhe që kanë kaluar disa dekada në tokë.
Kryeipeshkëvi i Tiranës dhe Durrësit, Imzot George Frendo, theksoi se varrezat murale krijojnë mundësi që njerëzit të vazhdojnë të tregojnë respekt për të afërmit e tyre. Ambasadori italian, Alberto Kutilo e konsideroi këtë ceremoni si hapin e parë drejt një kulture moderne dhe shumë dinjitoze të trajtimit të të afërmeve tanë që nuk jetojnë më.
/b.d