Nga Blend Çobani
Për parantezë secili nga ne i përket diçkaje, vjen nga diçka, ka një bosht, ka një prejardhje, ka një familje e kështu me rradhë. Konvencionalisht pozicioni im përballë Historisë së vendit tim i përket një prejardhjeje të fortë familjare patriotike dhe krejtësisht në anën e fitimtarëve të Luftës së Dytë Botërore, ose më saktë asaj pjese që i përket luftës së madhe botërore e që në hapësirat shqiptare u quajt Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare (LANÇ). Madje nga të dy krahët e prejardhjes. Si nip dëshmorësh dhe partizanësh do të më takonte të shkruaja për Ata, të cilët kur morën pushkën e dolën malit duke lënë prapa gjithçka të dashur nuk e dinin se sa do të zgjaste lufta, nuk bënë llogari kokën apo xhepin, por vunë dashurinë për Atdheun të parën e mbi gjithçka, e ashtu mbetën përjetësisht në Panteonin e Shqipërisë. Në këtë mënyrë do t’i shtohesha pa asnjë dallim rrëfenjës tradicionale të këtyre 75 viteve të pas Luftës. Ajo Luftë për mua dhe shumicën e shqiptarëve është aset i shenjtë për Kombin Shqiptar dhe si e tillë është përjetësuar në themelet e në ballinën e tij. Tjetra është se unë bëj pjesë në grupin e atyre që nuk ngatërrojnë kohët e foljes, para 1944 dhe pas saj, e që në konceptin tim ky vit vendosi dhe ndau fatet e popullit shqiptar në histori, ndaj nga ky pozicion personal po shkruaj diçka. Uroj ti shërbej të mirës.
Brezi ynë si shumë të tjerë para nesh, u rritën e u formuan nën shoqërinë e kolonës audio video të heroizmave të partizanëve, këto shpesh herë të hiperbolizuara deri në vuajtje të tipit Promete, por gjithsesi të përafërta ka patur me shumicë dhe e parë kjo në kontekstin e kohës, ajo Luftë, ai organizim, ajo pjesëmarrje, ai mobilizim, ato ideale dhe sakrifica, ishin të një lloji e karakteri krejt të panjohur në botën obskurantiste feudo osmane shqiptare të atyre viteve. E këtë nuk e kam shkruar unë.
Winston Churchill ka një të thënë se, “Historia shkruhet nga fitimitarët”. Edhe në rastin shqiptar kjo preambul u zbatua plotësisht pas 1944, madje në mënyrën më megallomane të mundshme, e referuar pak më lart kaloi deri në nivelin e një lloj neverie jo për ata që sakrifikuan gjithçka deri dhe jetën për Shqipërinë, por për shkallimin e propagandës së kohës e cila për hir të së vërtetës kaloi çdo cak e llogjikë në evokimin e ngjarjeve dhe zhvillimeve të Luftës. Madje duke kaluar dekadat, e duke u asgjësuar pjesë pjesë drejtuesit e protagonistët kryesorë dhe jo kryesorë të përpjekjes më të pashembullt në historinë e popullit tonë të vogël, kur kulmi i marrëzisë arriti deri në asgjësimin e figurës qendrore të asaj Lufte, Mehmet Shehut, atëherë për pasojë rrëfenjat sa vinin dhe bëheshin edhe më qesharake e të pakuptimta, kur në kronikë citohej beteja dhe nuk përmendej njëherë komisari, e pak vite më vonë edhe komandanti i njësisë partizane, kur këta protagonistë ndërkohë ishin shpallur armiq, spiunë, tradhëtarë të vijës, sabotatorë, me gjithfarë akuzash e ishin ekzekutuar pa varr. Pra vetë Lufta si Panteon duke u mbështjellë vetëm rreth një emri, u përçudnua gradualisht nga vetë ata, nga komandanti i tyre e onturazhi i tij njëri më mediokër se tjetri. Por njëkohësisht nuk e pranoj kurrsesi bojën e baltën e zezë që janë përpjekur për të hedhur gjatë këtyre viteve mbi atë Luftë, duke e fragmentarizuar, përbuzur e etiketuar gjithëfarë, duke e ditur se armët i kishin në dorë të dyja palët dhe se me ato më mirë do të ishte luftuar bashkarisht pushtuesi se sa të ishin kthyer kundër njëri tjetrit për të vrarë shqiptarë. Përgjegjësia historike është dypalëshe dhe kjo tashmë në kohën kur janë zbardhur gjërat ose të paktën pjesa më e madhe e tyre, nuk kërkon ndonjë shpjegim të madh. Ne duhet të ndalemi kur bëhet fjalë për atë Luftë, e cila mirë apo keq, shëmtuar apo bukur, na renditi përjetësisht në krahun e Fitimtarëve dhe jo të Humbësve. Kjo është më e rëndësishmja, e palëvizshmja, e padiskutueshmja, për të tjerat hajde llafosemi edhe 75 vjet të tjera.
Para disa ditësh dëgjova në media përgatitjet e qeverisë shqiptare për prurjen në Atdhe të eshtrave të Mid’hat Frashërit. Që prej emrit pasohet një heshtje. Lexova me kërshëri (si gjithmonë) vargjet e Arben Dukës, i cili kishte shkruar për Mid’hatin e më gjerë. Nuk mund të them që nuk isha dakort me ato që ai rendiste për këtë figurë të historisë së Shqipërisë, por gjithsesi mendoj se ka edhe disa të tjera ndryshe. Kam lexuar në vazhdimësi edhe Uran Butkën, në veprën e të cilit kam gjetur disa fakte historike të mbuluara me qëllim, kjo për arsyen si më lart që ka lidhje me Fitimtarët, por edhe të tjera me të vërteta që na paraqiten për mendimin tim të diskutueshme dhe të goditshme. Këtu dëshiroj paksa të ndalem dhe do ta këndvështroja në pozicionin politik atë betejë që Butka e quan “Lufta Civile në Shqipëri”, diçiturë të cilën personalisht nuk e pranoj, e ku brenda saj ravijëzohen dukshëm dy gjetje të kristalizuara qartë si dy tendenca(rryma) antagoniste.
Gjetja e parë, e cila dukshëm intelektuale, por më pak e fuqishme, më pak e përkrahur, më pak e organizuar dhe më kryesorja më pak luftarake, ishte Partia e Ballit Kombëtar Shqiptar. Në kontekst programi me 10 pika i kësaj partie politike, i ashtuquajturi Dekalogu, hartuar nga vetë Mid’hati, në përmbajtje ishte thellësisht liberal e nacionalist me tendenca socialdemokrate. Vetë Mit’hat Frashëri si formim politik për mua ishte një socialdemokrat liberal dhe republikan. Programi i tyre mbështet këtë që unë shkruaj dhe kjo mund të vërtetohet lehtësisht.
Gjetja e dytë, e cila ishte dhe më fuqishmja, më e përkrahura, më e organizuara dhe kryesorja më luftarakja, ishte padyshim rryma(vrulli) e përfaqësuar nga Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar(emërtimi luftarak i PKSH). Për këtë nuk ka nevojë për më shumë komente. Mjaftojnë 48 vjet.
Gjetja e parë, pra Balli Kombëtar, i cili in fondo është i lidhur pazgjidhmërisht me figurën e Mid’hat Frashërit, si themelues dhe drejtues i tij, në pëfundim të Luftës, HUMBI. Këtu qëndron i gjithë thelbi i çështjes, këtu qëndron Thembra e Akilit të historisë moderne të Shqipërisë. Shpesh herë më vjen një ndjesi se dhe sot e kësaj dite, jemi në të njëjtat pozita, në dilemat e mëdha ndërmjet Fitimtarit dhe Humbësit. Brenda kontekstit me pasion kam hulumtuar ndër lexime se vetë komandanti i Fitimtarëve të Luftës, Enver Hoxha, përthithi me ose pa rezerva(këtu kam dyshimet e mia) deri në nivelet më të larta të drejtimit edhe anëtarë të Partisë Fashiste Shqiptare, si psh Bedri Spahiu, Omer Nishani, e ndonjë tjetër, të cilët në ato vite ishin figura madhore të partisë dhe pushtetit, ku deri së fundi është gjendur në arkiva edhe tesera e anëtarësisë në PFSH e bashkëshortes së tij Nexhmije Xhuglini!! Paralelisht eleminonte(fizikisht ose jo) pa asnjë dilemë komunistë par exellence si Sejfulla Malëshova(sekretar personal i Fan Nolit, anëtar i PKBS, absolutisht më i kulturuari ndër ata), Mustafa Gjinishi, Ymer Dishnica(anëtar i PKF), Zef Mala(anëtar i PKI), Llazar Fundo(anëtar i PKF), Anastas Lulo, Sadik Premte, Bexhet Barbuta, Nako Spiru, etj, etj. Pa tentuar aspak analiza të pavend për paradokset e dhimbshme historike të Enver Hoxhës të cilat pjesërisht njihen, këtë tendencë që kam vërejtur dëshiroja ta ndaja me lexuesit.
E pra ai(E.Hoxha), thënë shkurt pranonte pranë vetes deri fashistë të konvertuar në komunistë dhe në asnjë rrethanë ballistë, qofshin këta edhe të konvertuar edhe të penduar edhe gjirokastritë(siç ishte rasti i ish fashistëve si më lart, të cilët ishin me origjinë nga Gjirokastra). Nuk kam dëgjuar në atë kohë ndonjëherë në asnjë rrethanë që dikujt ti thuhesh haptas ose jo, se ti ke qenë fashist ose je fëmija i fashistit, ndërsa për ballistët, 45 vjet plus edhe këto vjet, pra 74 vjet, kjo damkë nuk u nda, nuk u shqit, nuk u hodh dot në koshin e historisë. Njëherë me zjarr e persekutime, e më pas me humor e denigrime. Kaq i thellë ishte inati, mllefi, urrejtja e përbuzja për ballistët sa që kemi dëgjuar që edhe për ata syresh të cilët ishin penduar gjatë luftës e ishin kthyer me partizanët dhe PKSH, shumë vite më vonë pas 1944, kur bënin autobiografinë më pas për ndonjë të drejtë studimi për fëmijët ose për ndonjë autorizim për apartament, vazhdonin të shkruanin në letër se kam qenë ballist nga viti x deri në vitin y, e më pas u binda se isha në rrugën e gabuar……etj etj. Asnjëherë nuk u kërkua PAQTIMI I MADH, një hapje zemre, një shtrirje dore, edhe për atë pjesë të shqiptarëve, të cilët pavarësisht se HUMBËS të Luftës, ishin dhe mbeten shqiptarë, janë bashkëkombasit tanë, kushërinjtë tanë, gjaku ynë, janë mbi të gjitha SHQIPTARË, sikurse edhe paraardhësit e mij FITIMTARË. Kaq do mjaftonte t’i jepej fund kësaj plage shkatërruese, dërrmonjëse, autovrastare, kësaj monstre djallëzore që për 48 vjet u quajt “Lufta e Klasave”, e cila gjatë rrugës së saj të përgjakshme korri edhe shumë nga FITIMTARËT dhe në fund të rrugës rrapëlluese shkatërroi Shqipërinë në themel.
Për paralelizëm historik, Francisko Franko, para se të ikte nga kjo botë bëri PAQTIMIN E MADH, e bëri për hir të Spanjës e prosperitetit të vendit të tij, ndërsa ne shqiptarët……JO. E pra ishte një diktator ushtarak. Gjykoj se dhimbjet e spanjollëve ishin disa herë më të mëdha se tonat, më shumë se gjysëm milioni viktima flasin më shumë se miliona e miliona fjalë. Kombet e vogla si ky i yni, duhet pajtjetër të mësojnë nga kombet e mëdhenj si ai spanjoll, në ndërtimin e rrugës së tyre historike moderne e demokratike. Ky mësim na përcillet edhe nga shumë vende të tjera evropiane shumë të zhvilluara, e shumë herë më demokratike se sa ne, të cilat në një moment të caktuar historik kanë mbyllur hesapet e Luftës dhe i janë futur Punës, duke mos bërë që kujtimet e pasojat e së parës të pengojnë të dytën. Këtu kam parasysh vende të tilla si Franca, Gjermania, Italia, Norvegjia, Holanda, Belgjika, etj.
Jam përpjekur shumë për të shpjeguar kuptimin e vërtetë të fjalës TRADHËTAR, në rastin konkret tradhëtar i Kombit. Konceptualisht është gjë e madhe, vështirësisht e gëlltitshme, shumë e madhe për t’u thënë e justifikuar. Edhe nga këndvështrimi filozofik, i etiketuari tradhëtar(?) për të cilin po shkruaj, ndoshta kjo është parë e konceptuar thellësisht politikisht, nën devizën “O me mua, o kundër meje, rrugë të mesme nuk ka”, në asnjë rrethanë nuk ka tradhëtuar Kombin dhe idealet kombëtare. Mid’hati dhe të tijtë(nuk marr aspak përsipër të rehabilitoj figurat e Ballit Kombëtar) e deshën Shqipërinë, njësoj ndoshta edhe më shumë se sa Fitimtarët, por ata nuk deshën Komunizmin, e për pasojë ngatërruan rrugën, ngatërruan marshin, e përfundimisht nuk luftuan me pushtuesin, madje në shumë raste bashkëpunuan me ta kundër kundërshtarëve politikë, duke u bërë në këtë mënyrë të pabesueshëm për popullin, për Aleatët e mëdhenj antifashistë dhe më gjerë. E për këtë ka fakte të pakundërshtueshme historike. Njerëzit janë akoma gjallë. Për këtë Historia i vendosi përjetësisht në stolin e Humbësve të Mëdhenj.
Por ka edhe një kleçkë, të cilën sa andej sa këtej, askush nuk e cek, askush nuk e shkruan, askush nuk do ta shprehë, ose pak nga të gjitha, fakti se ata bashkëpunuan me pushtuesin kundër lëvizjes tjetër politike, asaj komuniste dhe jo kundër interesave të Shqipërisë. E këtu paradoksalisht qëndron dritëshkurtësia e lëvizjes së tyre. Nga ajo Luftë, nga ato lëvizje varesh edhe një herë ekzistenca e vështirë Shqipërisë si shtet, qenia e saj si Atdhe i shqiptarëve, si anëtare e familjes së madhe të kombeve(e vënë çuditërisht në diskutim nga vetë Ministri i Jashtëm britanik Anthony Eden për ti bërë qejfin qeverisë monarkiste greke në ekzil më 1942). Këtë komunistët e kuptuan shpejt, kundërshtarët e tyre siç rezultoi praktikisht, JO. E duke ditur se Shqipëria faktkisht në ato kohra konsiderohej si shteti i dytë fashist në Evropë, pasojat juridike të të cilit po i vuajmë sot e kësaj dite në marrëdhëniet me fqinjin jugor, kjo Luftë bëhej imperativ i kohës. Pa diskutim kjo lëvizje u bë shkas që gjatë edhe pas Luftës, ata Humbësit, të etiketoheshin dhe kategorizoheshin si bashkëpunëtorë të pushtuesit”, kjo pjesërisht e vërtetë dhe “tradhëtarë të Atdheut”, kjo krejtësisht e pavërtetë. Të Atdheut apo të Komunizmit?! Sot njehsimi i këtyre dy nocioneve jo vetëm nuk qëndron, por është një absurditet, gjithsesi duke gjykuar me situatën e kohës e cila ishte krejtësisht ndryshe, duhet të ndalojmë e të mendojmë. Komunizmi si ideologji dhe rrymë politike nuk mund të vihet kurrsesi në një plan me KOMBIN. Ideologjitë e politikat shkojnë e vijnë, KOMBI mbetet. Është plotësisht e kuptueshme për rrethanat historike që këto dy koncepte të unifikoheshin nga Fitimtarët, për interesat e tyre politike të marrjes së pushtetit pa asnjë ekuivok.
Në perceptimet e mia Mid’hat Frashëri, në asnjë rrethanë nuk më rezulton Tradhëtar i Kombit, por as Gjeniu i Kombit. Ai e donte shumë Shqipërinë e punoi shumë për të. Ai nuk e shiti Shqipërinë. Ai nuk u dhuroi tokat e Shqipërisë, të huajve. Ai nuk e shkatërroi Shqipërinë. Ai nuk i nguli thikën pas shpine Shqipërisë. Ai ishte një antikomunist i madh dhe një shqiptar i madh. Kaq. Ai ndoshta bashkëpunoi haptas dhe jo haptas me të huajt. Ndoshta kështu e konceptoi fuqizimin e Shqipërisë për atë kohë e në ato rrethana. Kështu e mendoi. Koha tregoi që bëri gabim, por kështu u bë dhe kjo nuk zhbëhet më, e kjo nuk përbën vlerë antikombëtare, e aq më keq konfigurim i ndonjë tradhëtie kombëtare. Ai e konsideronte komunizmin si të keqen më të madhe për Shqipërinë dhe ky objektiv u vendos gradualisht në plan të parë për atë dhe partinë e tij. Por gjithmonë për Shqipërinë sipas tij. E padiskutueshme historikisht kjo. E pra kjo nuk mund të konsiderohet edhe sot e kësaj dite si Tradhëti Kombëtare?! Shumë njerëz në atë kohë e më pas nuk e donin ideologjinë marksiste(komunizmin), por kjo nuk do të thotë se ata ishin tradhëtarë të Kombit. Mos keqkuptohemi në këto rradhë, nuk justikoj në asnjë rrethanë veprimet kriminale të ndonjë ofiqari shqiptar të asaj periudhe, i cili nën moton e antikomunizmit lau me gjakun e bashkëkombasve të tij të pafajshëm rrugët e Tiranës e qyteteve të Shqipërisë. Absolutisht jo. Ata ishin dhe janë kriminelë lufte dhe si të tillë duhet të dënohen nga Historia, duke u hedhur në koshin e plehrave të Kombit.
Për mua Mid’hat Frashëri ishte dhe mbetet një intelektual i niveleve më të larta e përmasave të mëdha, me të cilët çdo komb do të mburrej pa diskutim. Firmëtar i Pavarësisë së Shqipërisë, publicist dhe diplomat veteran, erudit i vërtetë, lëçitës i madh, i ditur i madh, penë e hekurt, intelektual poliedrik, por si politikan…. HUMBËS. Siç e përmenda kam lexuar me etje historike përshkrimet e Uran Butkës për këtë figurë të panjohur dhe të nxirrosur për ne brezat e “socializimit real”, në pothuajse të gjithë librat e tij, edhe ky një kontribut i madh i z.Butka në fondet e Kombit, duke gjetur e zbuluar mjaft fakte rreth personalitetit të Mid’hat Frashërit. Besoj se pas leximit të tyre e kam shumë më të plotë e të konfiguruar portretin e tij, por një gjë thelbësore nuk munda dot të gjej aty. Rrëmbimin e armëve kundra okupatorëve, fillimin e luftës së madhe çlirimtare nga ata që në fund të fundit për atë kohë mund të konsideroheshin si “Baballarët e Kombit”. Kjo nuk gjendet, këtë nuk e gjeta dot. Sado që ishte një nga pikat kryesore të programit fillestar të PBK, sado që Butka, si një hulumtues i kujdesshëm është përpjekur ta pasqyrojë sa më të plotë figurën e Mid’hat Frashërit dhe të tijëve dhe rrjedhimisht të Ballit Kombëtar, duke tentuar në një kuptim edhe rehabilitimin e tyre duke renditur disa beteja kundra pushtuesve, e nga ana tjetër duke mos i shpëtuar në një pjesë të konsiderueshme të veprës së tij goditjes së kundërshtarëve politikë, gjë që për mua plotësisht e kuptueshme nisur nga pozicioni personal që përfaqëson, ai(Butka) nuk justifikon dot mosnisjen asnjëherë të betejës së madhe pa asnjë ekuivok të Ballit Kombëtar kundër pushtuesve të Shqipërisë. Këtu fillon e mbaron e gjitha. Gjithsesi në asnjë mënyrë nuk mendoj që këto shkrime dhe analiza janë shteruese, koha dhe kërkimet e mëtejshme shkencore ndoshta do të nxjerrin të tjera fakte në dritë.
I kërkoj ndjesë për citimet autorit të librave të cilat janë pjesë e bibliotekës sime personale, pa dashur asnjë replikë me të, por ky është mendimi im.
Në epilog sa më përket mua:
Mid’hat Frashëri, nuk është TRADHËTAR I KOMBIT. Mid’hat Frashëri është një HUMBËS I MADH. Nga përvoja botërore, në përgjithësi intelektualët politikanë nuk janë të suksesshëm.
Nisma e qeverisë shqiptare në të gjitha kuptimet për mua është një lloj ndjese, një shtrirje dore për palën tjetër, për shqiptarët tanë, për ata që na ndau politika por jo gjaku, e që na bashkon Atdheu dhe Flamuri Kombëtar. Po marr guximin e po e quaj simbolikisht një Mukje 2, por kësaj rradhe jo për të luftuar, por për të punuar krah për krah në udhën e gjatë e të mundimshme të zhvillimit e prosperitetit demokratik të Shqipërisë sonë të përbashkët. E përkrah pa asnjë mëdyshje këtë Lëvizje të Madhe Paqtuese Politike e Kombëtare, ndoshta më e madhja në këto 27 vjet post komunizëm. Aq më tepër vlerësohet pasi vjen nga një qeveri e majtë, në një kuptim pasardhëse e së majtës tradicionale shqiptare, por krejtësisht e shkëputur nga kaluara e saj historike e trazuar. Një akt që pa asnjë diskutim na bën pjesëtarë të tryezës së qytetërimit të madh evropian dhe jam shumë i sigurtë se kjo do të vlerësohet shumë në opinionin e atjeshëm. Prehja e Mid’hat Frashërit në tokën amëtare, qetëson së pari atë vetë dhe Atin e tij të Madh, qetëson në kuptimin emocional tallazet historike paradoksale të popullit tonë të vogël, qetëson e shëndosh dialogun ndërshqiptar, na bën më të bashkuar, na bën më të ndriçuar, na bën më të emancipuar. Më në fund qoftë edhe eshtrat e tij, atij intelektuali kollos shqiptar, na bëjnë më krenarë se përse jemi shqiptarë, si pjesë e pandarë e familjes së madhe të qytetëruar evropiane.
Ai po kthehet Këtu për Ne. Jam i sigurtë pa asnjë mëdyshje se pafundësisht edhe Ai këtë dëshironte.
Mirësekthehesh në Atdhe Profesor!