Zamira Hajiyeva është gruaja që ka shpenzuar 18 milionë Euro për 10 vite në Harrods, një rrjet dyqanesh luksoze në Londër. BBC raporton se ajo është objektivi i parë i ligjit të ri në Mbretërinë e Bashkuar kundër korrupsionit.
Me origjinë nga Azerbajxhani, Zamira është bashkëshortja e një ish-bankieri. Zamira Hajiyeva humbi betejën ligjore që emri i saj të qëndronte anonim, por mediat britanike argumentuan se publiku duhet të njohë faktet e plota të kësaj dosje.
Zamira rrezikon që të humbasë shtëpinë e saj në Londër që kushton plot 15 milionë Dollarë dhe një fushë golfi në Berkshire nëse nuk arrin që të shpjegojë origjinën e pasurisë së saj.
55-vjeçarja dhe bashkëshorti i saj Jahangir Hajiyev duhet të japin arsye të forta se si mundën të blenin shtëpinë e tyre në lagjen më të shtrenjtë të Londrës.
Një ligj i ri i Mbretërisë së Bashkuar synon të zbulojë zyrtarët e huaj të dyshuar si të përfshirë në korrupsion, të cilët kanë pastruar paratë në Britaninë e Madhe. Ligji i ri i detyron këta persona që të tregojnë dhe justifikojnë pasurinë e tyre. Nëse një zyrtar i huaj i dyshuar për korrupsion apo familjarë të tij nuk mund të vërtetojnë burimin e pasurisë, atëherë Agjencia Kombëtare e Krimit në Britani kërkon në Gjykatën e Lartë që të konfiskojë pronën.
Jahangir Hajiyev është ish-kryetar i Bankës Ndërkombëtare të Azerbajxhanit. Ai u burgos në vitin 2016 pasi u dënua me 15 vite si pjesë e një skeme mashtrimi ku u përvetësuan milionë Euro nga banka. Gjykata e urdhëroi gjithashtu që të paguajë 39 milionë Dollarë.
/b.d