Izolim të ri ekstrem për kokat e krimit të organizuar që janë aktualisht në burg dhe goditje të të fortëve që sfidojnë ligjin nëpër qytetet e Shqipërisë, përmes dy nismave të posaçme ligjore. Hartimi i dy nismave është sinjalizuar dje nga kryeministri Edi Rama, pas mbledhjes së qeverisë. Nisma e parë parashikon ndryshime ligjore, për një izolim dhe monitorim shumë të rreptë të personave të dënuar apo të dyshuar si të përfshirë në krim të organizuar. Nisma ligjore do të bazohet në modelin italian, e njohur me emrin “41-bis”. Të dënuarit apo të dyshuarit për krim të organizuar apo terrorizëm nuk do të kenë më asnjë kontakt me njerëz të brendshëm apo të jashtëm.
“Kemi vendosur të ndërmarrim një ndryshim ligjor për të dyshuarit, apo për të dënuarit për përfshirje në krim të organizuar, apo dhe organizata terroriste, të cilët do t’i nënshtrohen një regjimi të ri, shumë të rreptë, izolimi dhe monitorimi, duke iu ndërprerë çdo lloj komunikimi të brendshëm dhe të jashtëm për të gjithë kohën e paraburgimit dhe të vuajtjes së dënimit. Është një model që mund ta shihni në detaje, duke iu referuar atij aspekti të legjislacionit peniteciar, që italianët e pagëzojnë me emrin “41-bis”, që do të thotë se këta lloj përfaqësuesish të botës së krimit do të kenë kontakte shumë të kufizuara me qeniet e tjera njerëzore dhe shumë rreptësisht të monitoruara për të gjithë kohën e vuajtjes së dënimit të tyre”, tha Rama.
Çfarë është modeli italian “41-bis”?
Sistemi “41-bis” u aplikua për herë të parë në Itali në vitin 1992, si një nevojë dhe domosdoshmëri për të ndaluar komunikimin e të burgosurve të rrezikshëm me njerëz të jashtëm, për të mos vijuar drejtimin e organizatave mafioze. Kjo masë u prezantua në vitin 1992, kohë kur humbën jetën Giavoni Falcone dhe Paolo Boerselino, si mburojë specifike për anëtarët e grupit mafioz Cosa Nostra dhe grupe të tjera të ngjashme me të.
Thelbi i regjimit “41-bis” është nevoja për të penguar komunikimin e të burgosurve me njerëz të jashtëm. Duke bërë këtë, pengohen bosët e mafies që të kishin komunikime të mundshme me organizatat kriminale. Kështu, atyre u bllokohet mundësia që bosët të japin urdhra për vrasje dhe krime ndërkohë që ishin të burgosur.
Limitimi i numrit të takimeve me familjarët, është një ndër rregullat strikt, ku saktësohet sipas ligjit Italian, maksimumi 1 takim në muaj. Po ashtu ndalohet kontakti fizik me familjarët, ndërsa çdo bisedë mes tyre është e regjistruar. Të burgosurit kanë mundësinë e një telefonate 10 minuteshë në muaj, edhe ajo e regjistruar. Të burgosurit i ndalohet çdo objekt personal në qeli, si stilolaps, blloqe apo lekë.
Në rast sëmundje, të sëmurët transferohen në reparte spitalore sipas dispozitave të “41-bis”. Po ashtu ka një limit për kohën e qëndrimit jashtë që nuk mund të jetë më shumë se dy orë në ditë, dhe në grupe jo më shumë se 4 vetë. Të burgosurit janë aq të vëzhguar sa është e pamundur të komunikojnë mes të dënuarve, të gatuajnë, të shkëmbejnë objekte, dhe janë grupe sociale të ndryshme të dënuarish.
Masat për goditjen të ‘fortëve’
Qeveria shqiptare po punon për hartimin e një tjetër pakete masash kundër të fortëve. Plani i masave u paralajmërua po dje nga kryeministri Edi Rama. Rama u shpreh se qeveria ka nisur hartimin e disa ndryshimeve në Kodin Penal për rritjen e ndëshkimit ndaj personave që sfidojnë ligjin. Paka do të fokusohet tek ashpërimi i dënimit për veprën penale të gjobëvënies, meqenëse disa grupe kriminale u vënë gjoba bizneseve. “E fundit, qeveria ka nisur draftimin e një pakete ndryshimesh në Kodin Penal për të fortët.
Kështu quhet paketa, “Të fortët”, të cilëve, përmes një trajtimi ekzemplar, përmes përshkallëzimit të presionit të Policisë së Shtetit në çdo territor, do t’u rezervojmë dhe ndëshkime penale ekzemplare për format e tyre të preferuara të karshillëkut ndaj ligjit, ndaj qytetarëve dhe ndaj biznesit. Së shpejti, natyrisht, duke qenë se bëhet fjalë për ndryshime në Kodin Penal, këtë paketë do ta ndajmë me opozitën, duke shpresuar në mundësinë e kthimit të saj nga bota e filmave në terrenin e përballjes reale me kriminalitetin. Këto ishin vendimet dhe masat e marra sot nga qeveria”, tha Rama.