“Nga 1 janari nuk do të ngrihet asnjë qepen për baste dhe asnjë qepen në zonat e banuara për kazinotë elektronike”, kështu u shpreh gjatë ditës së sotme kryeministri Rama.
I ftuar në “Top Show”, drejtori i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave, Niko Lera, shpjegoi se çfarë do të ndodhë pas 1 janarit.
“Duhet të kemi parasysh që ligji lejonte që lojërat elektronike, kazinotë të operonin në qytete, por në 1 janar nuk do të lejohet që këto pika të funksionojnë. Ajo që është e re, është se bastet sportive nuk do të lejohet të operojnë pas datës 31 dhjetor 2018. Kjo do të bëhet me ndryshim ligjor, i cili do të miratohet edhe në Parlament. Ky është hapi i fundit i kontrollit dhe i kufizimit të këtij biznesi. Tani kemi vetëm 20 operatorë nga 44 operatorë. Ato operatorë që kanë mbetur në treg kanë pësuar rritje. Ato që do të hiqen me propozimin e fundit, janë bastet sportive, bingot, garat me kuaj, me qenë, e të tjera. Ndërkohë, kazinotë dhe lojërat e tjera do të hiqen nga qendrat e banuara. Do të ngelen kazinotë e vendosura në hotelet me 5 yje. Do të ngelen kazinotë të vendosura në distancë, bingot televizive, apo lotaria kombëtare”, u shpreh drejtori i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave, Niko Lera.
Më tej, ai u shpreh se deri diku bastet sportive do të kthehen në një monopol shtetëror.
“Do shohim mundësinë që ato biznese që dëmtohen nga kjo masë, të kenë mundësinë të gjejmë alternativa të tjera online. Bastet sportive të kthehen në një monopol shtetëror”, tha zyrtari i Ministrisë së Financave.
a.ç