Borxh ndaj gjakut të dëshmorëve e ka cilësuar kryeministri Ramush Haradinaj mbrojtjen e kufijve të Kosovës, qoftë edhe nga presidenti Hashim Thaçi. E ka thënë këtë në sy të kreut të shtetit, shkruan Koha Ditore.
Thaçi, Haradinaj, por edhe kryeparlamentari Kadri Veseli ishin pjesëmarrës në ceremoninë e organizuar të premten në Marinë të Skenderajt, për inaugurimin e Kompleksit memorial të heronjve dhe dëshmorëve të kombit.
Kur kreu i Qeverisë e ka thënë këtë, nuk ia ka përmendur emrin njeriut që prej muajsh është duke e proklamuar idenë e “korrigjimit” të kufijve me Serbinë, një eufemizëm ky për shkëmbimin e territoreve.
“Çfarë borxhi tjetër iu kemi këtyre që kanë rënë për liri? Është e thjeshtë: Iu kemi borxh me e forcu lirinë, atë për të cilën kanë rënë. Me e forcu shtetin. Me u forcu si popull, në ekonomi, në politikë të brendshme, në të jashtmen.
Me e rujtë Kosovën në territorin e vet. Edhe kufijtë e vet me i rujtë, të paprekshëm prej kurrkujt, qoftë ai këtu me ne, qoftë tjetërkund, për shkak se këta kufij na i kanë lënë amanet”, ka thënë kryeministri Haradinaj, gjatë fjalës së tij në ceremoni..(b.an)