Shqiptarët që jetojnë e punojnë në Greqi, shumica e të cilëve nuk kanë marrë nënshtetësinë, për të disatën herë janë thjesht spektatorë të zhvillimeve politike në zgjedhjet greke, pasi nuk kanë të drejtë vote.
“Pjesëmarrja e shqiptarëve është e pjesshme, pasi nuk kemi të gjithë të drejtën për të votuar. Edhe pas një integrimi të mirë, ku kemi fituar disa prej të drejtave tona, këtë të drejtë për fat të keq nuk e kemi ende. Do të ishte mirë, që qeveria e re të na e jepte këtë të drejtë që na përket, sepse nga momenti që jetojmë këtu duhet të vendosim edhe ne për të ardhmen e këtij vendi dhe për fëmijët tanë”, tha Iris Hajdinaj, mësuese.
TCH: Keni të drejtë vote?
Mirela Taçe, sekretare: Ende jo.
TCH: Nëse do të votonit në datën 20 shtator, për kë dhe përse do të votonit?
Mirela Taçe, sekretare: Do të votoja për atë parti, që u jep të drejtën fëmijëve të mi, që kanë lindur dhe po rriten këtu.
Një pjesë e konsiderueshme e tyre janë shprehur për Top Channel se, nëse do të votonin, do të jepnin votën e tyre për Syrizan, si partia e vetme që sollin në Parlament dhe miratoi ligjin për marrjen e nënshtetësisë për fëmijët e emigrantëve.
Ndërkohë, ata shfaqen të dyzuar përsa i përket zbatimit të programit ekonomik nga kjo parti.
“Nuk i besoj shumë Syrizas për planin ekonomik, por nuk i besoj as ndonjë tjetri, sepse në këtë moment askush nuk ka se çfarë të na thotë diçka më shumë”, thotë Katerina Traiku, shtëpiake.
“Besoj se ‘Demokracia e Re’ mund të vazhdojë më mirë programin ekonomik, sepse Syrizan e pamë se çfarë na bëri, na mbylli bankat e shumë gjëra të tjera”, tha Nderim Rusta, saldator.
“Do të votoja për ata, që mbështesin të drejtat tona si emigrantë, sepse kemi kaq kohë që nuk na mbështet njeri për këto, si dhe për të drejtat e fëmijëve”, tha Alketa Bakiaj, nëpunëse.
“Aktualisht do të votoja për Syrizan, për të ardhmen e tyre dhe për të ardhmen e qytetarëve shqiptarë. Na kanë bërë shumë premtime dhe ne e mbështesim programin e tyre”, tha Tomor Demiraj, biznesmen.
TCH: Nuk iu bën përshtypje fakti, që Syriza të tjera premtoi para zgjedhjeve të janarit dhe të tjera bëri në këto 7 muaj?
“Po. I kam ndjekur vazhdimisht të gjitha lajmet, ndoqa dhe debatin e fundit, pashë situatën si është. Ka bërë gabime, por mendoj se në të ardhmen do t’i ndreqë, sepse Syriza u bë një shembull edhe për ne, por edhe për disa vende të Europës”, tha Kristina Dojce, mësuese.
Ashtu si edhe në Athinë, deputetët e Syrizas kanë zhvilluar edhe në Selanik një takim me përfaqësues të komunitetit shqiptar, në të cilin janë diskutuar disa prej problemeve kryesore, që ata përballojnë.
Midis tyre, e drejta e votës në fillim në zgjedhjet lokale, për ata që kanë shumë vite në Greqi; dhe sidomos e drejta e përkrahjeve sociale, të cilat emigrantët shqiptarë nuk i marrin, pasi nuk kanë nënshtetësinë, ndërkohë që paguajnë rregullisht të gjitha taksat./Top Channel/