Banka Botërore, në një raport të publikuar ditën e sotme mbi ekonomitë e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor
rriti pritshmëritë për rritjen ekonomike të Shqipërisë.
Sipas parashikimeve të përditësuara, rritja ekonomike e Shqipërisë për këtë vit do të shkojë në 4%, nga 3,6% që vlerësohej fillimisht prej këtij institucioni.
“Rritja e punësimit ndihmon në uljen e mëtejshme të varfërisë në vend, ndërkohë që pritet të zvogëlohet edhe defiçiti fiskal dhe borxhi publik”, shkruhet në raport.
Në raportin e mëparshëm, Banka Botërore vlerësonte se rritja do të ngelej në nivelin prej 3,5-3,6% për shkak se hyrja drejt finalizimit të projektit të TAP, do të reduktonte fluksin e investimeve të huaja në vend.
Megjithatë, pavarësisht se TAP ka reduktuar investimet, rritja ekonomike, e shtyrë nga turizmi dhe eksportet, ka tejkaluar vlerësimet e mëparshme të Bankës Botërore.
Përmirësimi i situatës ekonomike në vend u reflektua më parë gjatë kësaj jave edhe në interesin e Eurobondit, që Shqipëria ishte në gjendje ta përfitonte me vetëm 3,5%.
Një interes i tillë është i ngjashëm me interesin që Italia apo shumë vende të tjera të Bashkimit Europian arrijnë të emetojnë bono afatgjata në tregjet ndërkombëtare.
Dy Eurobondet e mëparshëm, në vitin 2010 dhe 2015, u emetuan përkatësisht me 9% dhe 5,75%.
Rritja ekonomike për tremujorin e dytë të këtij viti, sipas INSTAT arriti në 4,32%.
Përgjatë këtij tremujori, industria, energjia dhe tregtia ishin sektorët që udhëhoqën përshpejtimin e aktivitetit ekonomik në vend. /Lexo.al