CSKA Moskë ka shkaktuar surprizën e mbrëmjes në Champions League. Rusët kanë mposhtur me rezultatin minimal 1-0, as më shumë dhe as më pak se kampionët në fuqi të kompeticionit, Realin e Madridit. Moskovitëve iu mjaftoi një gol i Vlasic që në minutën e dytë të lojës për të marrë 3 pikëshin dhe kryesimin e grupit G me 4 pikë.
Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Roma shkatërroi me rezultatin 5-0 Plzen. Me këtë fitore verdhekuqtë barazohen me pikë me Realin, me dy ekipet që numërojnë 3 pikë.
Befasues edhe rezultati i “Allianz Arena” me Bayern Munich që nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1 ndaj Ajax-it. Hummels kaloi në avantazh vendasit por goli i Mazraoui i dha një pikë të vlefshme holandezëve.
Fitore arriti dhe Benfika e cila mposhti në transfertën greke, AEK-un, me rezultatin 3-2. Lyoni nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2 në shtëpi ndaj Shakhtar Donetsk./a.ç