Teatri Metropol vazhdon traditën me premierat e tij. Sezoni i dytë artistik tetor-dhjetor sjell larmi veprash, shqiptare të arkivit, e vepra të njohura në mbarë botën, duke përfshirë në këto projekte aktor karriere apo aktor të rinj, regjisor me eksperiencë apo regjisor me potencial të ri artistik. Teatri Metropol, gjate muajit tetor do të nis
edicionin e dytë të festivalit të dramës shqipe “Metrofest”, festival i cili pas suksesit të vitit të kaluar, kësaj here shtrihet në dy javë aktivitete. “Ashtu si në edicionin e parë, edhe sivjet Teatri Metropol, i dedikohet njohjes dhe vënies në skenë të dramaturgjisë shqiptare. Qëllimisht ky festival nuk ka natyrë konkurruese, por e vë theksin tek laboratori i punës me vepren shqiptare. Të pesë premierat e këtij edicioni janë produksione ekskluzive të Metropolit, duke afruar profesionistë të teatrit nga të gjitha brezat për të hulumtuar dhe për t’i dhënë frymë dramës shqipe në skenë, afër publikut”, shprehet drejtoresha e Teatrit Metropol, Jonida Beqo.
Ky edicion i “MetroFest” sjell pesë vepra shqiptare të nxjerra nga arkivi, si “Rrajët lëvizin” e autorit Ernest Koliqi me regji nga Rozi Kostani. “E bija e krahinarit” nga Kristo Floqi me regji nga Aldi Hysotoci, “Kryet e hudhrës” nga autori Kristë Berisha me regji nga Sonila Kapidani, “Makaronat e shejtanit” nga Lazër Lumezi dhe regji nga Rexhina Mollaymeri si dhe “Prangat” nga autori Halil Laze etj. Gjithashtu netët e këtij festivali do të ndërrthuren dhe me aktivitetet të tjera aletrnative. Qëllim kryesor i këtij festivali është rigjallërimi i teksteve dramatike nga arkiva e dramës shqipe bazuar në një rrugëtim zbulimesh të reja të shprehive skenike. Teatri Metropol ka si udhëheqje në veprimtarinë e tij objektivin: më shumë qasje në kulturë nga më shumë njerëz, nga të gjithë qytetarët, edhe ata që janë të përjashtuar ose ndihen të përjashtuar nga arsyet e aftësisë financiare, prejardhjes sociale ose prejardhjes kulturore dhe këtij objektivi i takojnë edhe iniciativa të dobishme si kjo, që bashkojnë dhe lidhin hallka të një zinxhiri njerëzor për një komunitet të fuqishëm.
Çfarë është teatri dhe raporti i tij me publikun, janë çështje që kanë shqetësuar artistët ndër breza, ndaj ky festival i ardhur si pretekst për njohje dhe krijim, i fton spektatorët e kryeqytetit të zbulojnë së bashku shtigje dhe përgjigje.
Sezoni i ri në Metropol do të vijoj më tej gjatë muajit nëntor me “Ditari i Ana Frank” i autorëve Frances Goodrich dhe Albert Hackett dhe “Sherlock Holmes dhe qentë e Baskervillit” e autorit Ken Ludëing vepër që do të vihet në skenë në fund të vitit.
ma.me