Zëvendës ministrja e Brendshme Romina Kuko, reagon lidhur me rastin e Xhisiela Malokut, e cila akuzon djalin e deputetit socialist Rrahman Rraja, për dhunë.
Në një dalje për mediat ditën e sotme, një ditë pas arrestimit të të riut Rexhep Rraja, ajo deklaroi se ministria e Brendshme përtej çdo reagimi emocional apo të motivuar politikisht ripërsërit edhe njëherë qëndrimin e palëkundur institucional duke rikonfirmuar korrektesën e veprimeve të kryera nga Policia e Shtetit për rastin e Xhisiela Malokut.
“Gjykojmë të arsyeshme dhe nuk do të rreshtim së përsërituri se nuk ka patur asnjë favorizim të askujt pavarësisht emrit apo mbiemrit që mban. Ky është momenti të ritheksojmë se kallëzimi dhe ndjekja penale e të kallëzuarve nuk u mbyllën nga policia edhe pse denoncuesja insistoi të tërhiqte padinë”, shprehet Kuko.
Ajo shton se brenda 24 orëve pati reagim ndëshkues duke pezulluar dhe proceduar penalisht në Prokurori punonjësin e policisë, i cili nuk veproi konform ligjit dhe detyrës.
Po ashtu deklaroi se Policia e Shtetit nuk është ndjerë e intimiduar nga asnjë palë dhe nga askush dhe veprimet e saj kanë qenë korrekte dhe profesionale.
Sipas saj, ky është standardi, me të cilin Policia e Shtetit punon prej vitesh.
Më tej shton se pavarësisht politizimit të skajshëm të këtij rasti, për të cilin shprehu keqardhje të thellë, ajo konfirmoi se Policia e Shtetit trajton duke iu referuar të dhënave të vitit të fundit 4500 raste të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
“Për ne lufta kundër dhunës në familje, dhe lufta kundër dhunës me bazë ligjore nuk është çështje e ditës por pune e përditshme ndaj të cilës punojmë me devotshmeri përditë. Policia është dera e parë ku qytetarët drejtohen për ndihmë denoncimet janë rritur nga vitit në vit, jo sepse dhuna është shtuar, por sepse qytetarët kanë më shumë besim tek policia”, tha ndër të tjera zv.ministrja.
Ajo deklaroi se tentativat për përdorimin politikisht të Policisë së Shtetit kanë si qëllim shfokusimin nga orientimi strategjik dhe operacional ndaj grupeve dhe interesave kriminale, ndërsa nënvizoi se institucionet nuk bazohen në shpërthim emocionale, por në dispozita ligjore dhe standarde.
Kuko garantoi se qytetarët se policia është dhe do të mbetet aty, do te jete e qytetarëve dhe në shërbim të tyre, në zbatim të ligjit./a.m.