Bashkimi Evropian ka reaguar lidhur me vizitën e Presidentit Hashim Thaçi në vendkalimin kufitar në Bënjakë dhe në Liqenin e Ujmanit, në veri të Kosovës.
Zyra e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evripian për politikë të jashtme, Federica Mogherini, u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga veprimet që mund të shkaktojnë tensione midis tyre.
“Ne, si gjithmonë, llogarisim te të gjitha palët që të reagojnë me qetësi dhe përmbajtje”, tha Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.
Reagimi i BE-së erdhi pas reagimeve të Beogradit për vizitën e Thaçit në Liqenin e Ujmanit.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic, ka paralajmëruar se sonte në orën 21:00, do t’i drejtohet kombit lidhur me këtë veprim të Thaçit.
Vetë Thaçi tha se kjo ishte një vizitë “rutinore” dhe “krejt normale” e tij.