Roma ka fituar 3-1 derbin e madh lokal ndaj Lazios, i njohur ndryshe si Derby della Capitale, i vlefshëm për javën e shtatë të Serie A.
Pjesa e parë e takimit ishte e barabartë, me të dyja skuadrat që krijuan shumë raste të mira për gol, por vetëm vendasit arritën ta tundin rrjetën.
Rasti i parë në ndeshje i takoi Adam Marusicit (16′) të Lazios, por goditja e tij u prit nga portieri i Romës, Robin Olsen.
Roma pati raste të mira me Edin Dzekon (23′) dhe Javier Pastoren (24′), por në të dyja rastet portieri shqiptar, Thomas Strakosha e bëri mrekullinë.
Kur pritej që pjesa e parë të përfundojë në skenë doli rezervisti Lorenzo Pellegrini (45′), i cili zëvendësoi në minutën e 36-të Pastoren, duke shënuar me thembër për 1-0 dhe duke dërguar skuadrën e tij në pushim me epërsi.
Në pjesën e dytë, përsëri u zhvillua një lojë e mirë me shumë raste, por edhe me tri gola të shënuara.
Në minutën e 67-të të ndeshjes në skenë doli sulmuesi italian Ciro Immobile që shënoi për barazimin 1-1 pas një gabimi të mbrojtjes së Romës.
Megjithatë, Roma nuk u zmbraps duke sulmuar dhe duke gjetur shpejt golin e rikthimit me anë të Aleksander Kolarov (71′), i cili shënoi nga goditja e lirë për 2-1.
Roma arriti të shënojë edhe një herë në minutën e 86-të të ndeshjes me anë të mbrojtësit Federico Fazio, goli i të cilit me kokë vulosi fitoren me rezultat përfundimtar 3-1.
Pas kësaj fitore, Roma ngjiten në pozitën e pestë me 11 pikë apo një pikë më pak se Lazio që renditet e katërta.
Në ndeshjen e ardhshme, Giallorosët udhëtojnë te Empoli, ndërsa Lazio e pret në shtëpi Fiorentinën.