Drejtoresha e Shërbimit për Çështje të Brendshme Anila Trimi ka dhënë një deklaratë për mediat lidhur me veprimet hetimore të bëra pas denoncimit të ish-efektivit Emiliano Nuhu, i cili akuzon se është kërcënuar nga vëllai i deputetit Rrahman Rraja, në prezencë të kryebashkiakut Artur Bushi dhe deputetit Taulant Balla.
Ajo thotë se në 21 Korrik, ditën për të cilën Nuhu thotë se është kërcënuar, nuk ka qenë fare në komisariat. Sipas saj, kjo gjë vërtetohet përmes pamjeve filmike.
“Nga intervistat e drejtuesit dhe punonjësve të Policisë së Stacionit Fushë Krujë rezulton se më datë 21/07/2018, pra data e pretenduar, nga ish punonjesi Nuhu nuk ka qenë fare prezent në ambientet e Stacionit të Policisë Fushë Krujë”, thotë Anila Trimi.
Deklarata e plotë:
Jam sot këtu para jush për t’ju bërë me dije se SHÇBA ka filluar dhe është ne vijim të një hetimi të thellë dhe të detajuar të të gjitha pretendimeve dhe deklaratave të bëra publike nga ish-punonjësi i Policisë së Shtetit Emiljano Nuhu, të bëra publike nëpërmjet një interviste të transmetuar në media.
Në përmbushje të detyrave institucionale, SHÇBA monitoron ligjshmërinë e të gjitha veprimeve apo mosveprimeve të punonjësve të Policisë së Shtetit gjatë ushtrimit të detyrës.
Menjëherë me transmetimin në media të pretendimeve dhe deklaratave të ish-punonjësit Nuhu, SHÇBA krijoi një grup hetimor të posacëm të drejtuar nga unë, si Drejtor i Përgjithshëm, Altin Curri, shef i sektori ne Drejtorinë e Përgjithshme të SHÇBA, Arben Frasheri Drejtor i SHÇBA Tiranë, Fatos Balla, Shefi i Sektorit te Hetimit SHÇBA Tirane dhe Melsi Agolli Shefi i Sektorit SHÇBA Durrës.
Deri në këtë moment, grupi i hetimit:
1. Ka shqyrtuar një sërë dokumentesh që mund të kenë të dhëna për çështjet e pretenduar, përfshirë librin e shërbimit të Stacionit të Policisë Fushë Krujë, Urdhrin e Prokurorit të Rrethit Gjyqësor Krujë për kryerje veprimesh hetimore, urdhrin e brendshëm për planëzimin e shërbimit të këtij stacioni dhe librin e denoncimeve të qytetarëve.
2. Ka marrë në intervistë më tepër se 20 punonjës policie, në Krujë, Tiranë dhe Berat përfshirë drejtuesit e këtyre strukturave, të cilët mund të kishin dijeni të ngjarjeve të ndodhura në datat dhe vendet e pretenduara nga Emiljano Nuhu.
3. Ka marrë në shqyrtim pamje filmike të bizneseve private në Fushë Krujë dhe Tiranë me qëllim verifikimin e pretendimeve të ish punonjesit Emiljano Nuhut.
4. Ka administruar fashikuj hetimi, fashikuj procedimi dhe gjithë korrespondencën ndërmjet Komisariateve Krujë dhe Komisariatit 6 ne Tiranë dhe Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Krujë dhe Tiranë, për këtë çështje.
5. Ka kryer kontrolle në sistemin TIMS dhe sistemet e tjera të Policisë së Shtetit.
Nga ky aktivitet, deri tani janë verifikuar disa rrethana dhe fakte:
1. Nga intervistat e drejtuesit dhe punonjësve të Policisë së Stacionit Fushë Krujë rezulton se më datë 21/07/2018, pra data e pretenduar, nga ish punonjesi Nuhu nuk ka qenë fare prezent në ambientet e Stacionit të Policisë Fushë Krujë.
2. Nga Urdhri i Brendshëm për planëzimin e shërbimit, rezulton se, më datë 21/07/2018, Emiljano Nuhu nuk ka qenë OPGJ i gatshëm, por një tjetër punonjës i Policisë së Shtetit.
3. Nga intervistat dhe dokumentet si dhe shqyrtimi i pamjeve filmike në dispozicion, nuk rezulton që personat e përmendur në intervistë, si kërcënues të tij, të kenë qenë prezent në ambientet e Stacionit të Policisë së Shtetit në fushe Krujë, as në këtë datë dhe as në ndonjë datë tjetër të mëvonshme.
4. Nga Urdhri i Prokurorit të Rrethit Gjyqësor Krujë, rezulton se vetëm në datë 27/07/2018, Emiljano Nuhu është ngarkuar për hetimin e kësaj çështjeje.
5. Nga shqyrtimi i fashikullit të hetimit rezulton se nga 11 veprime hetimore të deleguara nga Prokurori i çështjes, Emiljano Nuhu ka kryer vetëm 4 prej tyre.
6. Nga ekzaminimi i pamjeve filmike dhe komunikimeve elektronike, rezulton se Emiljano Nuhu takohet, ndër të tjerë, me personin nën hetim, në ambientet e një lokali privat, në Tiranë më datë 30/07/2018. Nga pamjet dhe komunikimi elektronik krijohet bindja e një takimi mes personash të njohur, mgjate kjo eshte nje rrethane qe do te verifikohet nga organet qe udheheqin hetimin ne kete rast.
7. Nga dokumentet rezulton se Emiljano Nuhu nuk paraqitet në detyrë që nga data 14/09/2018.
8. Më datën 15/09/2018, Emiliano Nuhu, rezulton të ketë udhëtuar nga aeroporti i Prishtinës drejt një vendi të Bashkimit Europian. Në sistemet e Republikës së Shqipërisë apo ato të Republikës së Kosovës, Emiliano Nuhu nuk rezulton i regjistruar në hyrje-dalje, në asnjërën nga Pikat e Kalimit Kufitar Shqiptare apo Kosovare.
9. Me datën 16.09.2018, Emiliano Nuhu, i ka telefonuar nga jashtë Shqipërisë, punonjës policie, të cilit i ka kërkuar të marrë armatimin personal, pistoletë, te cilen e kishte lene tek vjehrri i tij, për ta dorëzuar më pas.
Nga shqyrtimi i rrethanave të deritanishme, ekziston dyshimi i arsyeshëm se ish-punonjësi i Policisë Emiljano Nuhu, me veprime dhe mosveprime, ka kryer disa shkelje si:
1. Shpërdorim detyre
2. Kalim i paligjshëm i kufirit
3. Nxjerrje e sekretit hetimore
4. Shkelja e procedurave të punës në hetimin e çështjeve
5. Shkelja e rregullave mbi armatimin personal të punonjësit të Policisë së Shtetit
SHÇBA po shqyrton me imtësi të gjitha rrethanat e tjera, pretendimet si dhe ligjshmërinë e të gjitha veprimeve apo mosveprimeve të këtij ish-punonjësi policie, të personave të lidhur me të si dhe veprimet apo mosveprimet e eprorëve të tij.
Në përfundim të hetimeve do t’ju bëhen me dije rezultatet, referimet dhe propozimet e masave përkatëse të punonjesve nese do te rezultojne me shkelje.
Faleminderit!