Në dy ditët e hetimit nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) janë konstatuar një sërë shkeljesh në trajtimin e padisë së bërë nga Xhisiela Maloku e cila ishte paraqitur për të bërë kallzim ndaj Rexhep Rrahjës, djalit të deputetit socialist Rrahman Rrahja.
Kallzimi dyshohet se ishte për dhunë, përdhunim dhe rrëmbim. Por, pavarësisht ngjarjes së rëndë, vajzës nuk i është ofruar menjëherë urdhër-mbrojtjeje, ndaj për këtë arsye edhe oficeri Gentian Çitozi, i cili i mori çështjen, u pezullua nga detyra pas ankimit të vajzës dhe më pas më datë 25 ndaj tij është regjistruar procedim penal për shpërdorim detyre shkruan tch.
Por, oficeri Çitozi po ashtu dyshohet se gjatë marrjes së kallzimit ka tentuar të lehtësojë pozitat e të dyshuarit Rexhep Rrahja duke mos evidentuar dhunën fizike. Edhe në bazë të asaj që oficeri ka evidentuar, ai nuk ka ushtruar të drejtën e ndalimit me iniciativë.
Megjithëse, sipas deklarimeve të saj, Xhisiela Maloku më pas ka kërkuar që të tërheqë kallzimin, në Prokurorinë e Krujës ka shkuar materiali ku vepra penale ishte zbutur në kërcënim me mesazhe telefonike.
“Më datë 21.07.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës së Parë Krujë, për shtetasin R.Rr, vjeç 24, banues në fshatin Zezë, pasi në mënyrë të vazhdueshme ka përndjekur e kanosur me anë të mesazheve telefonike shtetasen Xh.M, vjeçe 25. Neni 120 i Kodit Penal”.
Ndërkohë, sipas verifikimeve të SHÇBA-së, oficerit që denoncoi rastin Emijano Nuhu i është deleguar çështja më 27 korrik pas pezullimit të kolegut të tij Çitozi./a.m.